Hapja e negociatave, gazeta austriake: ‘De Facto’, BE ka marrë vendimin për Shqipërinë
Gazeta kryesore austriake "Die Presse" njofton sot se është marrë de facto vendimi i Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë.

Franca, Holanda, Danimarka por edhe Gjermania janë kundër ose nuk janë pro. Sot këshilli i Ambasadorëve në BE do t’ia komunikojë këtë komisionerit Hahn. Një diplomat evropian i tha “Die Presse” se kishte dyshime për vullnetin e sinqertë për reforma:

“Shihni protestat në Shqipëri dhe sidomos sesi reagon qeveria. A mund të dallosh aty një përpjekje? Dhe të mos harrojmë: ishte Komisioni Evropian që para dy tre vjetësh paralajmëroi rrezikun e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar”, tha ai.

Hapja e negociatave kërkon vendim unanim nga 28 vendet anëtare, prandaj është përjashtuar që para verës, dy vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrin hapin tjetër drejt anëtarësimit në BE.

Me titullin: “Drita e kuqe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, gazeta shkruan se Franca dhe Holanda në veçanti kundërshtojnë fuqimisht hapjen e negociatavepranimit me të dyja vendet, duke shtuar se Holanda shkon më tej, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund regjimit pa viza për qytetarët shqiptarë.

Të hënën, një zëdhënëse e Komisionit Evropian konfirmoi se ajo kishte marrë një letër nga Haga. Shqiptarët kanë udhëtuar për në BE pa viza që nga fundi i vitit 2010. Komisioni tani ka një muaj kohë për të shqyrtuar kërkesën holandeze.

Regjimi pa viza mund të anulohet në përputhje me rregullat e zbatueshme, në qoftë se ka shumë raste të kërkesave për azil nga vendi në fjalë ose numri i atyre që qëndrojnë më shumë se tre muaj rritet shumë. Gjithashtu në Danimarkë dhe Gjermani nuk ka marrëveshje për të hapur negociatat e pranimit me të dy shtetet.

Në Danimarkë, Parlamenti do të rizgjidhet këtë të mërkurë, ku duket një fitore e qartë për Social Demokratët. Nën udhëheqjen e partisë nga Mette Frederiksen, ata kanë lëvizur fuqimisht drejt së djathtës në lidhje me politikat ndaj emigrantëve.

Edhe në Gjermani, për arsye procedurale një marrëveshje para verës do të jetë e pamundur.

Qeveria lejohet të miratojë negociatat e pranimit me një shtet të tretë pas autorizimit paraprak të Bundestagut, të cilit i kanë mbetur edhe dy mbledhje përpara pushimeve verore.

Rrjedhimisht, deputetët nuk kishin kohë për të studiuar dhe debatuar raportin e progresit të Komisionit Evropian, i cili u botua në Bruksel javën e shkuar.

Në këtë raport, Komisioni rekomandon hapjen e negociatavepranimit.

Jo më herët se në fund të shtatorit, Bundestagu do të jetë në gjendje për të vendosur, tha zëvendës shefi i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, të enjten.
Shtuar më 04/06/2019, ora 20:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori