Hapet shkolla e mesme bujqësore në Zadrimë
Pëlqej
Nxënësit që duan të studiojnë për bujqësi, kulinari apo se si menaxhohet një biznes në këto fusha, zgjedhja e duhur do të ishte shkolla e re e mesme profesionale “At Gjon Fausti” në Zadrimë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, vizitoi sot ambientet e shkollës që do të hapë për herë të parë dyert në 15 shtator, e cila vjen si një bashkëpunim midis MMSR-së, Ipeshkvisë Sapa dhe shoqërisë së bashkëpunimit bujqësor Sapa-Zadrima.

Ministri Veliaj vlerësoi se shkolla bujqësore profesionale është një shkollë elitare, e cila synon të ndihmojë sipërmarrjen e Zadrimës me profesionistë të vërtetë në fushën e bujqësisë, kulinarisë dhe agroturizëm. Sipas tij, ka ardhur koha që arsimi profesional të rilindë në funksion të kërkesës së tregut të punës dhe sipërmarrjeve.

“Kjo shkollë është një shembull i mirë për prindërit që duan të investojnë për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ajo nuk është një shkollë ‘shumë e për lumë’, por do t’i ngjajë shkollës austriake elitare në Tiranë, ku do të pranojmë një numër të kufizuar nxënësish me mesatare të lartë, pasi duam t’i kthejmë lavdinë e dikurshme arsimit profesional”, deklaroi z. Veliaj, duke nënvizuar se shkolla “At Gjon fausti” do të përgatisë menaxherët e ardhshëm të agrobiznesit.

Ai vuri në dukje se, gjatë këtij viti shkollor, do t’i jepet fund kulturës së të bërit mësim vetëm në klasa të mbyllura. “Tridhjetë përqind të kohës së mësimit, nxënësit do ta kalojnë pranë një biznesi në fushën përkatëse, ndërsa mësuesi do ta ndjekë gjatë praktikës në vendin e punës. Kështu, do të imitojmë suksesin e shkollave profesionale në Gjermani, Zvicër dhe Austri”, tha ministri Veliaj.

Nga ana tjetër, z. Veliaj u shpreh u kënaqur që Bordi i shkollës bujqësore “At Gjon Fausti” ka në përbërjen e tij drejtues bankash dhe bizneseve të zonës, çka siguron që asnjë nxënës të mos mbetet pa bërë praktikën mësimore. Ai u bëri thirrje të gjitha bizneseve që janë financuar nga buxheti i shtetit për investime në fusha të ndryshme, që të hapin dyert e biznesit të tyre për të mirëpritur nxënësit praktikantë të shkollave profesionale në të gjithë vendin.
Shtuar më 04/09/2014, ora 17:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori