Hapet gara për 300 psikologë në shkolla, çfarë ju duhet
Ky vit i ri duhet t’i gjente shkollat me 2-fish më shumë psikologë, referuar deklaratës së muajit gusht të ishministres së Arsimit, Besa Shahini. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Pas interesimit të medias, prindërve dhe mësuesve, që e gjykojnë rolin psiko-social sot më të rëndësishëm se kurrë më parë, Ministria është detyruar të reagojë. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar njoftoi dje fillimin e procedurave të rekrutimit, duke arsyetuar vonesën me kalkulimin e psikologëve shtesë, bazuar mbi numrin e nxënësve.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar gjatë muajit shtator 2020 ka analizuar numrin e nxënësve në çdo shkollë, për të përcaktuar nevojat për punonjësshërbimit psikosocial. Në bazë të urdhrit nr. 344 datë 19.08.2013, ‘Për ngritjen e Njësisë së Shërbimit Psiko-Social’, i ndryshuar, janë evidentuar 291 vende shtesë në këtë shërbim, numër i cili pothuajse dyfishon numrin e punonjësve të këtij shërbimi”, thuhet në njoftimin që nuk detajon procedurën dhe afatet e rekrutimit të punonjësve të rinj, përveç dosjes së dokumenteve dhe një testimi që do të duhet t’i nënshtrohen të interesuarit për ato vende pune.

“Së shpejti do të publikojmë edhe njoftimin për rekrutim sipas institucioneve arsimore të arsimit parauniversitar. Të gjithë të interesuarit do të njoftohen në vijim në lidhje me fushat e njohurive për të cilat do të testohen, dokumentacionin dhe procedurat përkatëse”.

Në prag të fillimit të shkollës, kreu i Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska, deklaroi se ky vit nis me të njëjtin numër punonjësish, edhe pse prania e tyre është më e domosdoshme me protokollet e reja anti-Covid. “Rreth 340 punonjësshërbimit psiko-social, psikologë dhe punonjës socialë kanë përfunduar vitin e kaluar shkollor dhe po me këtë shifër fillojmë edhe këtë vit. Një psikolog vazhdon operon për 1200-2000 nxënës. Edhe vetë psikologët janë interesuar pranë Zyrave Vendore Arsimore se kur do mund të testohen për t’u punësuar dhe përgjigjja nuk ka pasur një datë konkrete”.

Përveç kësaj, Urdhri është përballur këto ditë edhe me ankesa nga psikologët e rinj, të cilët edhe pas shpalljes së vendpunësimeve janë të penalizuar, pasi Qendra e Shërbimeve Arsimore prej tri vitesh nuk ua mundëson dhënien e provimit të shtetit.

“Procesi i prurjes së procedurave për zhvillimin e provimit të shtetit për psikologët ka që në vitin 2017 që pritet të realizohet dhe ende nuk është përmbyllur. Mendojmë se duhet të vlerësohet mundësia që kjo kategori psikologësh të mos penalizohet nga konkurrimi për vendet e lira për punonjësshërbimit psiko-social në shkolla”, thuhet në letërankesën e Urdhrit të Psikologëve për ministren e Arsimit. Përfaqësuesit e psikologëve gjykojnë se vonesat nuk janë përgjegjësi e tyre. Ndaj, kërkohet gjetja e një zgjidhjeje të përshtatshme, me qëllim që kjo kategori të mos vazhdojë të penalizohet.
Shtuar më 25/09/2020, ora 15:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori