Hapen zyrat e reja të Njësisë 14, lehtësi shërbimesh


Banorëve të zonës së Astirit, Unazës së Madhe dhe Kasharit nuk do t’u duhet të shkojnë deri në Kombinat për të marrë një certifikatë apo shërbime të tjera që ofrohet nga njësia administrative. Bashkia e Tiranës ka hapur Njësinë Administrative Nr.14, e cila do të mbulojë me shërbime rreth 70 mijë banorë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pa nga afër mjediset dhe kushtet që ofrojnë zyrat e reja të kësaj njësie, ndërsa theksoi se qytetarët do të marrin një shërbim shumë më të shpejtë dhe cilësor.

“Pas shumë vitesh kemi një njësi administrative, pra një lagje e re të Tiranës, ashtu siç ndodhi te Liqeni i Thatë, Kodra e Diellit dhe në zonën e Freskut. Me këto tre lagje të reja, lajmi i mirë është që zyrat janë edhe më të mira: Do të thotë, ruajmë standardet e fundit kur vjen puna te pritja për publikun, te shërbimi për qytetarin, te aksesi për njerëzit që mund të kenë aftësi ndryshe. Besoj se është muzikë për veshët e çdo banori të kësaj lagjeje. Deri dje ishte një komunitet jo i dyzuar, ‘i trezuar’, një pjesë shkonte në Kombinat për shërbime, një pjesë tjetër në Kashar, një pjesë tjetër te ’21 Dhjetori’. Sot s’ka më nevojë”, tha Veliaj.

Ai ftoi banorët të tregohen bashkëpunues për të mirën e tyre dhe të transferojnë pa asnjë pagesë gjendjen civile të tyre në njësinë e re. “Pa pagesë, pa taksë, mjafton vetëm të vetëdeklarohesh banor i kësaj lagjeje, Nëse vjen nga Berati apo nga Kukësi dhe nëse vjen nga njësia 7 apo nga njësia 6, transferohesh njësoj, automatikisht, në këtë njësi, pa pagesë. Kemi nevojë ta dimë nëse këtu banojnë 7 mijë vetë, aq sa kemi në regjistër, apo 70 mijë, sa janë realisht këtu. Në momentin që qytetarët na ndihmojnë, duke u regjistruar, ne u përgjigjemi menjëherë”, u shpreh kryebashkiaku.

Përveç përfitimit në përmirësimin e shërbimeve, Veliaj nënvizoi se banorët e kësaj lagjeje të re do përfitojnë edhe më shumë investime. “Investimet që do të prekin zonën do të përputhen me realitetin këtu. Nëse popullsia reale është 10-fish i asaj që kemi në letra, atëherë qartazi investimet do të jenë 10-fish, duke filluar nga shkollat e reja. Kompleksi i parë i shkollave do të jetë te ‘Shqiponja’, tjetri atje ku pritet Unaza e Re me Lanën. Siç pamë lehtësimin e dyndjes në klasa me ndërtimin e shkollës “Betim Muço” në Kombinat, jam i sigurt se do të shikojmë jo vetëm lehtësimin në klasa, por edhe lehtësimin në trafik, pasi pjesa më e madhe e trafikut janë orët e pikut në mëngjes, kur fëmijët shkojnë në shkollat jashtë këtij komuniteti. Në momentin që do të kemi bashkëpunimin e qytetarëve, jam i bindur se nuk do të vonojë përgjigjja e qeverisë edhe e bashkisë për të mbështetur investimet”, shtoi ai.

Veliaj dha një lajm të mirë jo vetëm për banorët e kësaj lagje, por për gjithë Tiranën, se duke nisur nga java e ardhshme, njësitë administrative do të shtojnë mjediset për aplikimet për karta identiteti, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata dhe çdo qytetar të pajiset me mjetin e identifikimit në një kohë sa më shkurtër. “Zyra e Aleat-it do të jetë këtu për këtë njësi, për kartat e identitetit dhe pasaportat, pa pasur nevojë të që qytetarët të shtyhen në radhë në njësitë e tjera. Sigurisht, për Aleati-in që emeton kartat e identitetit edhe pasaportat, do të shtojmë ambientet edhe në njësitë e vjetra. Ndaj vlen si njoftim për të gjithë qytetarët”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se e gjithë kjo zonë do të përfitojë një sërë investimesh të rëndësishme, si në infrastrukturën arsimore, atë urbane, edhe në ujësjellës. “Kemi një buqetë investimesh për gjithë komunitetin, duke filluar nga bulevardi i Kasharit. Ajo që është më e rëndësishme, ka qenë problem i dytë pas shkollave, çështja e ujit. Uji ka qenë me pus, të ndërtuar në një zonë rurale, në një zonë fshati, në një zonë bujqësore. Puset nuk mund të vazhdojnë më të mbajnë një komunitet me 70 mijë banorë, ndaj filluam investimin për dyfishimin e Bovillës për herë të parë pas 20 vitesh, që uji të vijë i paprekur, i pavjedhur, i pacenuar. Do të ndërtojmë një linjë transmetimi me materialet më bashkëkohore, të padepërtueshme, që mund të kalojnë në të gjitha zonat informale të bashkive të tjera dhe ta sjellin 100% ujin që del nga Bovilla, për Kasharin, Yzberishtin, Mëzezin, Misto Mamen, Kombinatin, Kodër Kamzën”, tha Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Veliaj për ofrimin e shërbimeve pranë qytetarëve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të përfitojnë nga amnistia dhe të regjistrojnë gjendjen civile aty ku ata realisht banojnë. “Është një nga investimet strategjike, pasi u afrohemi qytetarëve me shërbime pranë tyre. Falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe stafin që u angazhuan për të sjellë shërbimet më afër qytetarëve sepse presin shërbime shumë cilësore. Çdo banor që jeton këtu, por nuk e ka gjendjen civile këtu, të regjistrohet meqënëse tani kemi bërë edhe një ndryshim në ligjin përkatës, ku është hequr penaliteti. Por, kjo ka një afat kohor. Le të respektojmë këtë afat, të regjistrohemi këtu, të marrim më shumë shërbime. Të punojmë shumë mirë deri në datën 30 Qershor që është një datë shumë e rëndësishme sepse në momentin që marrim një angazhim si PS, atë e kthejmë në premtime të realizuara në përditshmërinë e punës tone”, tha Gjylameti.
Shtuar më 18/01/2019, ora 13:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori