Hapen për publikun dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ja dokumentet që nuk janë më “sekret”
Këshilli i Ministrave ka vendosur që dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit që përfshin periudhën nga data 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991, do të jenë të aksesueshme edhe për publikun.

Ditën e djeshme qeveria ka miratuar kështu vendimin, i cili detyron Ministrinë e Brendshme, atë të Mbrojtjes dhe Shërbimin Informativ Shtetëror që t’i dorëzojnë Autoritetit për Informim të gjitha dosjet dhe materialet arkivore të krijuara nga ish-sigurimi i shtetit për 47 vjet.

Sipas këtij vendimi që hyn në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare, në këtë dokumentacion përfshihen:

a) Të gjitha mjetet bartëse të informacioneve, të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, të disponuara prej tij apo që i janë vënë në përdorim, pavarësisht nga forma e ruajtjes, që mund të jenë dosje, të dhëna, shkresa, harta, plane, filma, regjistrime me figurë, me zë dhe regjistrime të tjera;

b) Riprodhimet, kopjimet e tyre dhe dublikata të tjera, të cilat janë fotokopjuar dhe administruar në bazë të akteve ligjore e nënligjore;

c) Mjetet ndihmëse të domosdoshme për të bërë interpretime, veçanërisht programet për përpunimin automatik të të dhënave;

ç) Dokumentacioni shoqërues, procesverbalet, aktet e dorëzimit dhe aktet e marrjes në dorëzim të këtij dokumentacioni që prej datës së krijimit të tyre;

d) Raportet e detajuara për të gjitha lëvizjet, ndryshimet, rigrupimet, dëmtimet dhe humbjet që ka pësuar fondi i dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit si edhe dokumentacioni tjetër i sipërpërmendur, prej datës 2 korrik 1991 e në vijim;

dh) Konstatimet, informacionet, urdhrat dhe raportet e hartuara, që kanë lidhje me menaxhimin, sistemimin, inventarin dhe gjendjen e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, që janë grumbulluar në arkivin e institucioneve prej krijimit të tyre;

e) Cdo informacion mbi procesverbalet e inventarizimit dhe regjistrat e të gjitha llojeve që i përkasin periudhës së sipërpërmendur si dhe çdo e dhënë tjetër që do t’i shërbejë punës së Autoritetit./albeu.com/

Shtuar më 16/02/2017, ora 10:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori