Halimi: PDSH-se nuk i pengon kisha ne qender
Albeu.com
Për PDSH-në nuk paraqet problem ndërtimi i kishës në qendër të Shkupit pasi në atë pjesë të kryeqytetit 99 për qind e qytetarëve janë maqedonas. Kështu është shprehur Iljaz Halimi, në emisionin “Rruga drejt” në ALSAT.
Kështu në emisionin “Rruga drejt” në ALSAT që do të transmetohet sonte në orën 20:40 minuta, deklaron Iljaz Halimi, duke pranuar se vendimi për ndërtimin e kishës është marë në kohën e qeverisjes së PDSH-së me VMRO-DPMNE-në në periudhën 2006-2008. Po atëherë sipas tij është marrë vendim për ndërtimin e një xhamie në sheshin e Tetovës.
“Meqë atyre nuk u pengon, ku 99 për qind mos të them 100 për qind këndej Vardarit janë maqedonas, mua më së paku mund të më pengojë të ndërtohet kishë, inshalla edhe tre kisha tjera le t’i ndërtojnë në sheshin e Shkupit. Atëherë as që është biseduar, as që ka pasur ndonjë propozim, ndonjë ide ose ndonjë theksim i ekzistimit të Xhamisë Burmali dhe në mungesë të asaj ne kemi kërkuar në të njëjtën mbledhje të Qeverisë të miratohet t vendim për rindërtimin e xhamisë në sheshin e qytetit të Tetovës”, tha Iljaz Halimi, nënkryetar i PDSH-së.
Në reagimin e tij deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi tha: “Vendimi për ndërtimin e kishës në sheshin e Shkupit dhe barasvlera e saj me ndërtimin e xhamisë në sheshin e Tetovës, nuk janë të qëndrueshme”.
Më tej Halimi ka thënë se kryeqytet i shqiptarëve nuk është Shkupi por Tetova.
“Kryeqytet i shqiptarëve është Tetova ore zotëri nuk më intereson mua”, tha Halimi.
Përfaqësuesja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva nuk përjashton mundësin që pas rishikimit të kërkesës për Burmali Xhaminë në komunën qendër të pranohet edhe kjo iniciativë, ndërsa nga LSDM-ja konsiderojnë se ndërtimi vetëm i kishës por jo edhe xhamisë rrezikon përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.
“Edhe për ndërtimin e Xhamisë Burmali që përmendet këtyre ditëve, kryetari i Komunës Qendër, mbrëmë e dëgjova kishte deklaratë, se nëse parashtrohet kërkesë, ata janë të gatshëm edhe një herë të shikojnë atë kërkesë, por ajo nuk do të thotë se VMRO-DPMNE-ja dhe shumica në Këshillin e Qendrës ose e tërë partia sillet në atë mënyrë siç thotë Halimi se ne jemi kundër objekteve fetare të shqiptarëve. Ajo u tha edhe nga Thaçi dhe kjo nuk është e vërtetë”, tha Silvana Boneva, kryetare e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
“Kisha i ka tejkaluar edhe kufijtë e projektit “Shkupi 2014”. Ndërtimi i kishës dhe këmbëmngulaj e tillë dhe jo bisedimet për Xhaminë Burmali dhe ndërtimi i shtëpisë së oficerëve në atë vend, është edhe një sulm serioz ndaj marrëdhënieve ndëretnike dhe është mosnjohje serioze apo mos dashje që të njihet nga kryeministri Gruevski se sa janë delikate marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni”, tha Gordan Georgiev, nënkryetar i LSDM-së.
Prezantimi projektit Shkupi 2014 nxiti debate të ashpra në opinion si në mes subjekteve politike ashtu edhe organizatave të shumta joqeveritare. Në kuadër të projektit “Shkupi 2014” është parashikuar vendosja e ndërtesës së administratës së qytetit në vendin e ku dikur ka ekzistuar Xhamia Burmali. Në projekt, parashikohet përmendorja e Aleksandërit të Madh dhe figurave të historisë maqedonase si Goce Dellçev dhe Dame Gruev, figura luanësh, por asnjë objekt që simbolizon historinë apo kulturën shqiptare në Maqedoni. (Shkëlzen Aqifi, alsat-m)
Shtuar më 11/02/2010, ora 22:09
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori