Halimi: Nesër mblidhet parlamenti më i shtrenjtë në demokraci
Eduard Halimi ka komentuar nëpërmjet rjetit social Facebook mbledhjen e nesërme të Parlamentit të ri. Sipas tij ky do jetë parlamenti që do ju kushtojë më shumë shqiptarëve në historinë e demokracisë.

"Nesër mblidhet parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Ky do të jetë parlamenti më i kushtueshëm në gjithë historinë e demokracisë. U votua për 140 deputetë por do të paguhen 160, sepse kryetari i PS donte të kishte dhe 20 të tjerë plus, duke shtuar ministrat. Një deputet i kushton shqiptarëve jo më pak se 2 milionë lekë në muaj, 24 milionë në vit (25.000 dollarë) dhe në 4 vjet minimumi 100.000 USD. Vetëm nga vendimi abuziv dhe arrogant i kryetarit të PS parlamenti do të kushtojë 2 milionë USD më shumë", shprehet Halimi.

Halimi më tej shton se Rama nuk i ka pyetur shqiptarët kur vendosi të shtojë 5 ministri se qeveria Berisha.

"Shpenzimet e kësaj qeverie nuk përfundojnë me kaq; Plot 5 ministri më shumë të cilat sigurisht ata që votuan nuk i dinin në 23 qershor. Nuk do të shpenzohen paratë e Edi Ramës, por të shqiptarëve. Ai premtoi ti pyeste për cdo vendim. A janë dakord qytetarët shqiptarë që Rama të ketë një ministri të tërë për të komunikuar me parlamentin edhe pse e ka 10 m larg zyrës së tij?! Po që të ketë një ministër shteti, thuaj se këta 18 të tjerët nuk janë për shtetin. Tre ministra për kulturën, sportin e turizimin e tjera cudi të sforcuara nga uria për tortë".

"Ky nuk është interes i qytetarëve dhe as ushtrimi pushtetit prej tyre por një harac i lartë, i tepërt, i panevojshëm, që duhet paguar për qeverinë më të madhe në histori dhe parlamentin më të shtrenjtë, në kohën kur të gjithë qeveritë e vendeve të zhvilluara po i shkurtojnë shpenzimet! Ketë donin shqiptarët?!!!", përfundon statusi i tij.
Shtuar më 08/09/2013, ora 11:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori