Halimi: Çmenduria e Ramës, sekuestrimi i shtëpive nëse s'ke paguar energjinë
Me anë të një postimi në Facebook, deputeti i PD Eduart Halimi ka hedhur akuza kundrejt Qeverisë se po harton një projektligj antikushtetues për sekuestrimin e shtëpive për të gjithë ata të cilët nuk shlyejnë detyrimet për energjinë. Në këtë shkrim, Halimi e ka cilësuar si çmenduria e Ramës.

"ÇMENDURIA E RAMES: SEKUESTRIM SHTEPIVE DHE PRONAVE TE SHQIPTAREVE NESE NUK KE PAGUAR ENERGJINE.
Të nderuar miq,
Çmenduria e Ramës nuk ka kufi.

Pas burgosjes historike së mijëra shqiptarëve të pamundur për pagimin e energjisë elektrike gjatë vitit 2014, në 14 janar të këtij viti ka firmosur një projektligj “Për energjinë elektrike”, ku i kërkon Parlamantit ti japë miratimin atij dhe taksidarëve të OSHE për të sekustruar pasuritë e shqiptarëve, shtëpi, apartamente, dyqane, toka bujqësore, troje e çfarë të kenë.

Sipas parashikimeve të bëra në shkronjën “b” të nenit 90 “Në rast se detyrimi i papaguar …është mbi 150 000 lekë.., furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike …”.

Pra OSHE të sekuestrojë të gjithë pasurinë e debitorit të energjisë, shtëpi, apartament, tokë bujqësore, truall, dyqan e çtë kenë. Pas burgut, tani shqiptarët i pret sekuestrimi i pasurive dhe këtë kërkon ta bëjë vetë kryeministri. Ai i kërkon parlamentit të jetë vetë kryegjykatës, vetë kryepërmbarues.

Të dashur miq,
Ky projektligj është jo vetëm antikushtetues, por mbi të gjitha është një barbari juridike e njeriu delirant i cili duhet ndalur.
Së pari, detyrimi i pagimit të faturës së energjisë elektrike është detyrim në të holla, për ekzekutimin e të cilit ndiqen rregullat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile. Fatura e energjisë është titull ekzekutiv, por ekzekutimi bëhet nga përmbaruesi vetëm pasi të shprehet gjykata më parë në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit dhe jo nga kryeministri apo taksidari i tij.

Të sekuestrosh banesat, toka bujqësore e troje që kanë vlera qindra herë më të madhe se një faturë energjie 1 milion lekë, dhe për më tepër këtë ta bësh pa autoritetin gjyqësor por si kryeministër, është barbari ligjore.

Deri në lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, kreditori nuk mund të ndërmarrë asnjë masë për ekzekutimin e detyrimit, për shkak se ekzistenca e tij nuk është provuar gjyqësisht. Ndaj një parashikim i tillë bie në kundërshtim flagrant me këtë Kod.
Së dyti, vendosja e hipotekës (apo sekuestrimi) mbi një pasuri të paluajtshme parashikohet në mënyrë shteruese nga Kodi Civil dhe rrethana e parashikuar nga projektligji i Ramës nuk përfshihet në atë Kod.

Si e tillë, shtimi i një rrethane të re me ligj me shumicë të thjeshtë, ndërkohë që Kodi Civil (ligj i miratuar me shumicë të cilësuar) parashikon në mënyrë shteruese hipotekat ligjore, bie në kundërshtim të hapur me nenin 116 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Së treti, sekuestrimi mbi një pasuri të paluajtshme përbën kufizim të të drejtes së pronës. Për këtë arsye, ky kufizim duhet ti nënshtrohet kritereve të parashikuara nga neni 42 i Kushtetutës, duke përfshirë edhe ndjekjen e një procesi të rregullt ligjor.

Çdo veprim i furnizuesit, si subjekt juridik kontraktor, cdo sekuestrim qeveritar, është cënim dispropocional dhe arbitrar i të drejtës së pronës dhe bie ne kundershtim flagrant me Kushtetuten e vendit.
Së katërti në asnjë rast dhe për asnjë rrethane cënimi i të drejtës së pronësisë së një personi privat nuk mund të bëhet nga vetë kreditori, qoftë ky edhe kryeminister apo drejtues i OSHE, por duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor.

Qeveria nuk mund të marrë “vendim” për vendosjen e barrës hipotekore mbi pasuri të paluajtshme të qytetarëve shqiptare dhe as të autorizojë OSHE për të sekuestruar pronat e qytetarëve. OSHE është një subjekt juridik, pa asnjë kompetencë për të vepruar mbi pronat e shqiptarëve.

Çdo detyrim që i jep kësaj shoqërie statusin e kreditorit, duhet të vihet në ekzekutim me mjetet ligjore të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, njëlloj siç veprohet me çdo kreditor i cili pretendon ekzekutimin e një detyrimi në të holla.

Nëse kreditorët do të vepronin privatisht për të vënë në ekzekutim detyrimet në të holla, atëherë do të ishim përpara rrezikut të cënimit të shtetit ligjor dhe funksionimit të tij sipas parimit të vetëgjyqësisë. Në atë rast, vendin e ligjit do e zinte antiligji dhe anarkia; shteti ligjor zëvendësohet me barbari juridike.
Së fundmi, me këtë projektligj Rama kërkon të bëhet Kryegjykatës dhe Kryepërmbarues i vendit dhe të sekuestrojë pronat e shqiptarëve, por ai ka treguar se është armiku i drejtësisë sociale dhe miku më i madh i selektivitetit.

Mbro miqtë që kanë miliona pa paguar dhe burgos të pamundurit, prish shtëpitë e fukarenjve dhe mbro sarajet e miqve. Ndaj edhe me këtë projektligj, ai do bëjë të njëjtën gjë.
Të dashur miq,
Opozita do e kundërshtojë fuqishëm këtë barbari pa as më të voglin dyshim. Por shpresë se deputetet e tij mund të kundershtojne nuk ka, shpresë dhe parlamenti mund ta refuzojë nuk ka. Ka vetëm një shpresë, kjo është shpresa e qytetarëve të lirë të ketij vendi, shpresa e qytetarëve të protestës, e qytetarëve që nuk ulin kokën para barbarive të tilla, por protestojnë.

Qytetarët nuk janë vetëm, ata na kanë ne, opozitën e vendit, që nuk duhet ta lejojmë që një delirant të sekuestrojë pronat e shqiptarëve, ti burgose e ti marrë zvarrë, por ti tregojmë kufirin, ti tregojme vendin", përfundon ai. /albeu.com/

Shtuar më 22/01/2015, ora 11:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori