Haki Rugova, kryetar i ri i Istogut
Albeu.com
Haki Rugova i LDK-së, sipas rezultateve të para ka fituar shumicën e votave për ta udhëhequr komunën e Istogut gjatë katër vjetëve të ardhshëm, ndërsa LDK-ja ka nisur në qendër të Istogut ta kremtojë fitoren.Fitoren e Rugovës e ka shpallur kryetari i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Agim Ademaj, në një konferencë të organizuar për media. Ai ka deklaruar se Haki Rugova ka fituar 77 për qind të votave nga numri i zgjedhësve që kanë dalë sot në votim, derisa kundërkandidati i tij, Shasivar Haxhiaj i PDK-së ka fituar 23 për qind të votave. .

Fitoren e Haki Rugovës e ka shpallur edhe Demokracia në Veprim në një konferencë për media. Sipas Demokracisë në Veprim, Haki Rugova ka fituar 8 406 vota, ose 76.1 për qind, ndërsa Shasivar Haxhiaj 2 643 vota ose 23.9 për qind.

Në listën e votuesve kanë qenë të përfshirë 39 703 votues, nga të cilët të drejtën e tyre për votim sot e kanë shfrytëzuar vetëm 11 mijë e 409 votues, ose rreth 30 për qind.

Haki Rugova ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë, për zgjedhje fer e demokratike, si dhe është zotuar se do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve të komunës së Istogut.
Shtuar më 09/05/2010, ora 23:04
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori