Surprizon përsëri Marin Mema, Vjena dhe “Oxford” të mahnitur nga zbulimi i tij

Gazetari Marin Mema, nëpërmjet “Gjurmë Shqiptare” ka bërë një zbulim shumë të rëndësishëm arkeologjik dhe historik.Në dokumentar u transmetuan pamjet e një shpelle të mbushur me eshtra njerëzore e cila ndodhej rreth 15 kilometra nga qyteti i Peshkopisë në Dibër.

Ky zbulim padyshim që zgjoi interesin e të gjithëve, ku disa muaj pas zbulimit të tyre në “Gjurmë Shqiptare”, Universiteti i Vjenës si rrjedhojë e një marrëveshje me institucionet përkatëse dërgoi në Shqipëri një antropologe franceze.

Më pas, eshtrat u dërguan nga Universiteti i Vjenës për analiza më të specializuara në një laborator pranë Universitetit të Oxfordit në Britaninë e Madhe.

Rezultati i analizave ishte mjaft mbresëlënës, pasi i zbulua se ato i përkisnin njerëzve që kanë jetuar nga 1600 deri 1700 vjet më parë, pra mes shekujve të IV dhe të V.

Ndërkohë gazetari Marin Mema ka kërkuar që të vazhdojnë më tej kërkimet në këtë shpellë duke kryer edhe analizat e ADN-së, por njëkohësisht, gërmimet arkeologjike duhet të bëhen në të gjithë zonën.

Ky zbulim është mjaft i rëndësishëm për historinë tonë, pasi deri më sot në Shqipëri nuk ka asnjë rast tjetër të njohur të një shpelle me një numër kaq të madh eshtrash që i përkasin kësaj periudhe.