Hahn: Qëllimi i reformës është për shqiptarët e jo për BE-në
Sot në Bruksel është mbajtur takimi i tetë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama ka patur takime me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Në përfundim të takimit, në një konferencë të përbashkët për shtyp, Mogherini ka shprehur besimin se Reforma në Drejtësi do të japë efekte pozitive.

Ndërkaq, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, në fjalën e tij ka theksuar se “qëllimi i reformës nuk është të afroheni më shumë me BE-në, por për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve shqiptarë”.

“Dhe kur BE kontribuon në këtë gjë, nuk e bën vetëm për të afruar sa më shumë Shqipërinë me Unionin, por e bën në interes të shqiptarëve”, ka thënë Hahn.

Sipas tij, Reforma në Drejtësi ishte hapi i parë, ndërsa tani palët politike në Shqipëri duhet të përqendrohen tek implementimi i saj.

“Nëse keni një sistem të besueshëm drejtësie, atëherë mund të tërhiqni më shumë investitorë. Prandaj kjo reformë është e rëndësishme. Tani duhen bërë hapat e radhës”, ka thënë Hahn.

Ndër të tjera, Mogherini dhe Hahn vlerësuan se një “problem i madh” për Shqipërinë mbetet lufta kundër drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. /albeu.com/
Shtuar më 08/09/2016, ora 12:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori