Hage: Vendimi i apelit te Haradinajt me 21 korrik
Albeu.com
Vendimi i apelit në rastin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj do të publikohet më 21 korrik, ka bërë të ditur Tribunali i Hagës gjatë kësaj jave, raporton “Turkish Weekly”.Haradinaj, së bashku me dy udhëheqës tjerë të UÇK-së, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj në vitin 2007 u paraqitën në gjykatë.

Ata u akuzuan për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, përfshi vrasje, torturë dhe dhunim të civilëve serbë, si dhe kolaboracionistëve të dyshuar shqiptarë të Kosovës, gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Prillin e vitit 2008, Haradinaj dhe Balaj u liruan nga të gjitha akuzat kundër tyre, ndërsa Brahimaj u shpall fajtor për trajtim mizor dhe torturë, dhe u dënua me gjashtë vjet në burg.

Atij iu mundësua lirim i përkohshëm në majin e vitit 2009, por u urdhërua të kthehej

në Hagë për vendimin e apeleve.
Gjatë seancave dëgjimore të apelit të tetorit të vitit 2009, prokurorët kërkuan një rigjykim, duke pretenduar se frikësimi i dyshimtarëve ka “infektuar” gjyqin, duke e bërë të pamundshme për ta paraqitjen e rastit të tyre në mënyrë të efektshme.

Një nga ish-pjesëtarët e UÇK-së i cili ka refuzuar të dëshmonte, Shefqet Kabashi, më pas u akuzuar nga Tribunali për shpërfillje të gjykatës.

Avokati mbrojtës i Brahimajt u tha gjyqtarëve se ata po kërkonin ta kthejnë dënimin e tij mbi akuza të torturës dhe trajtimit mizor, dhe kërkojnë një ulje të dënimit prej gjashtë vjetësh.

Avokati i tij, Richard Harvey, përmendi dëshmi të dëshmitarëve që ishin në kundërshtim dhe u mungonte kredibiliteti gjatë gjykimit.

Mbetet ende e paqartë nëse Haradinaj dhe Balaj do të udhëtojnë për në Hagë për vendimin e apelit. (zeri)
Shtuar më 10/07/2010, ora 12:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori