HISTORI FILMASH/ I grabitën 40 mijë euro me të cilat do të paguante punonjësit, pas një viti biznesmeni shqiptar “arreston” hajdutët (EMRAT-FOTO)

Dy shqiptarë të rrezikshëm janë arrestuar ditën e djeshme në Athinë, pasi ishin shpallur në kërkim prej një viti, për grabitjen e një biznesmeni.

Ka qenë vetë biznesmesni Tonin Preka, i cili ka pikasur Alfons Ndocin dhe Gerald Jahon në një qendër tregare në Athinë, dhe ka njoftuar menjëherë policinë.

Por në këtë moment edhe Ndoci dhe Jaho e kanë vënë re praninë e Prekës në qendrën tregtare, dhe ja kanë bërë me shenjë duke e kërcënuar se do ta vrisnin, dhe kanë tentuar të arratiseshin.

Historia

Tonin Preka, 41 vjeç, një shqiptar që jeton në Greqi, i cili është një biznesmen vilash në Mykonos, në nëntor të vitit të kaluar i ëhstë grabitur një çantë me para nga Ndoci dhe Jaho, të të cilën ndodheshin 40 mijë euro, me të cilat Preka do të paguante stafin.

Një ditë më parë ndërsa ndodhej në një qendër tregtare, rastësisht preka ka parë dy personat që e kishin grabitur, dhe menjëherë ka telefonuar policinë për praninë e tyre, por Ndoci dhe Jaho e kanë parë dhe i kanë bërë me shenjë se ishin të armatosur, duke u larguar njëkohësisht me vrap.

Gjatë arratisjes së tyre nga qendra tregtare, autorët kanë thyer një dritare, me pasojë plagosjen e një punonjësi të sigurisë, i cili ka tentuar t’i ndalojë.

Më pas ata janë vënë re nga efektivët e policisë së YMET, të cilët i kanë thirrur në kontroll policor, por të dyshuarit nuk iu bindën urdhrave të tyre dhe vazhduan përpjekjen për t’u arratisur.

24 vjeçari Gerald Jaho u arratis në këmbë, por u ndalua nga efektivët e policisë.

Ndërkohë 34 vjeçari Alfons Ndoci ka hipur në një automjet për të shpëtuar, është ndjekur nga policia dhe mjeti me të cilin udhëtonte është përplasur me mjete të parkuara dhe në fund në rrugën “Kifisos”, 34 vjeçari ka lënë mjetin dhe ka lëvizur në këmbë, por është arritur të kapet.

Gjatë kontrollit personal dy shqiptarëve u janë gjetur dhe sekuestruar 2 pistoleta të llojit “Beretta” dhe “Sig Sauer”, 17 fishekë, 1 pako me marijuanë, 16.207 euro dhe karmonedha të shteteve të ndryshme. Gjatë kontrollit të automjetit, u gjet një krehër pistolete pa fishekë.

Nga hetimet paraprake, rezultoi se ndaj 34 vjeçarit Alfons Ndoci, është në fuqi një urdhër-arresti për “grabitje në bashkëpunim” dhe 2 dënime në total prej 3 vite burg për “armëmbajtje nga një i burgosur” dhe për “vjedhje” ndërsa ndaj 24 vjeçarit Gerald Jaho ka një urdhër arresti në fuqi për “grabitje në bashkëpunim”.

Ndoci konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë.

Në vitin 2014 gjatë një grabitjeje në një dyqan në Elefsina vrau pronarin, të cilin e ekzekutoi me gjakftohtësi sepse thjesht guxoi të rezistonte gjatë grabitjes.

Në vitin 2018 ai u arratis nga mjeti i transportit të të burgosurve së bashku me 3 të burgosur të tjerë.

Ngjarja ndodhi në portin e Pireut, ku po kryhej transferimi i 11 të burgosurve nga Athina në Kretë. Pak ditë më pas ai ra sërish në prangat e policisë, pas një operacioni të forcave speciale greke.


Shtuar 25.06.2023 16:37