Guvernatori Fullani nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen
Pëlqej
Edhe pse prej disa ditësh në disa qytete ka nisur nga qytetarët nënshkrimi i një peticioni me anë të të cilit kërkohet shkarkimi i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani nuk ka ndërmend të dorëhiqet.

“Puna të vazhdojë si deri tani. Është një situatë e vështirë, por do ta kalojmë siç kemi kaluar bashkë situata të tjera të vështira”, mësohet se u ka komunikuar Fullani drejtorëve kryesorë të BSH-së.

Takimi i Guvernatorit me punonjësit e kësaj banke është pasqyruar edhe në faqen zyrtare të BSH në internet.

“Në vijim të mbledhjeve të posaçme të Këshillit Mbikëqyrës, pas një analize të hollësishme dhe të përgjegjshme të situatës së krijuar nga akti i shëmtuar i vjedhjes në Departamentin e Emisionit, administrimi i Bankës së Shqipërisë organizoi një takim të posaçëm me punonjësit e Bankës. Administrimi i Bankës së Shqipërisë i tërhoqi vëmendjen personelit të Bankës së Shqipërisë që të mprehë shqisat e skepticizmit profesional dhe të rrisë bashkëpunimin në funksion të zbatimit me rigorozitet të kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi”, citohet në faqen e Bankës. Më tej, në njoftim sqarohet se “Këshilli Mbikëqyrës dhe administrimi i Bankës së Shqipërisë beson se punonjësit e Bankës kanë ekspertizën teknike, përgatitjen profesionale, integritetin moral dhe kthjelltësinë në vendimmarrje për rikuperimin e situatës dhe përsosmërinë e veprimtarisë së saj” thuhet ne deklarate.



Shtuar më 13/08/2014, ora 12:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori