"Guardian": Ka shenja që BE-ja të dështojë të përballet me "
Albeu.com
Gazeta londineze "Guardian" shkruan se "prospekti i pavarësisë për Kosovën, dikur i sigurt, tani është duke u zbehur me të shpejtë", ndërsa gjasat janë që "Kosova të vazhdojë të mbetet në një amulli politike", me shqetësimet që tensionet "mund të shpërthejnë në dhunë, kur kosovarët e shohin se premtimi për pavarësinë po lihet mënjanë".Pohimet e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Volfgang Ishinger, se çështja e pavarësisë është e hapur, shkruan më tej gazeta, "kanë pasur ndikim të tmerrshëm dhe do të mund të sforcojnë shqetësimet e shqiptarëve se janë braktisur nga miqtë e tyre perëndimorë". Gjithashtu "Guardian" vë në dyshim parashikimet e zyrtarëve amerikanë në fillim të këtij viti, të cilat kanë kulmuar me zotimet e presidentit amerikan Xhorxh Bush në Tiranë. "Edhe afati i caktuar për dhjetor duket se do të vijë dhe do të shkojë pa pasur një zgjidhje diplomatike", pohon "Guardian", duke theksuar se administrata amerikane aktualisht ka çështje më shqetësuese se Kosova, "prandaj edhe nuk është e gatshme që të përplaset me Kremlinin vetëm mbi këtë çështje". Në anën tjetër gazeta konstaton se edhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë të ndara, prandaj, "Kosova duket se do të zhytet drejt ndarjes": serbët do të mbeten në veri dhe të kthyer nga Beogradi, duke e shndërruar atë pjesë në një rajon të ndaluar për shqiptarët, ndërkohë që shqiptarët do të ndihen të ngulfatur nën administrimin ndërkombëtar të një toke të askujt. Sipas gazetës, "zgjidhja më e mirë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor do të ishte nëse Bashkimi Evropian e njeh Kosovën", duke vlerësuar se në këtë mënyrë ia heq Beogradit "nga duart një problem tashmë të vyshkur". "Por, megjithatë ka shenja se Bashkimi Evropian do të dështojë të përballet me atë që vetë e ka cilësuar si sfidën më të madhe", konstaton në fund të komentit "Guardian".
Shtuar më 20/09/2007, ora 13:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori