Grupi Parlamentar i LDK-së vendos për zëvendësimin e Dacit me Berishen
Albeu.com
Grupi Parlamentar i LDK-së ndërsa i ka dhënë mbështetje vendimit të Kryesisë së partisë, e ka vlerësuar si një vendim të marrë në bazë të informacioneve të pasakta, bëri të ditur Alush Gashi shef i GP.Grupi Parlamentar i LDK-së, pas një debati të nxehtë për më shumë se tri orë i dha fund çështjes së kryekuvendarit duke vendosur për zëvendësimin e Akad. Nexhat Daci me Kolë Berishën, nënkryetar i LDK-së.
Grupi Parlamentar i LDK-së ndërsa i ka dhënë mbështetje vendimit të Kryesisë së partisë, e ka vlerësuar si një vendim të marrë në bazë të informacioneve të pasakta, bëri të ditur Alush Gashi shef i GP.
Ky grup ka marrë një vendim trepikësh, që saktëson rrjedhën e vendimarrjes për çështjen Daci brenda Grupit dhe në Kryesinë e LDK-së.
"Grupi Parlamentar i LDK-sa çmon lart punën e deritanishme të z.Nexhat Daci si kryetar i Kuvendit të Kosovës", tha Dr.Gashi, duke e cituar deklaratën e GP. Ndërsa, në pikën e dytë të vendimit theksohet se Kryesia e LDK-së, vendimin e vet për zëvendësimin e z.Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të Kosovës me z.Kolë Berisha nënkryetar i LDK-së e ka marrë, "në bazë të informatës së paverifikuar se gjoja kjo është kërkuar nga Uashingtoni dhe Brukseli".
"Pas debatit të gjerë në Grupin Parlamentar të LDK-së nuk është pranuar ky argument", u shpreh Gashi.
Ndërsa në pikën e tretë thuhet se për hir të vazhdimit të proceseve demokratike dhe për hir të realizimit të vullnetit politik të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, "i jep mbështetje unanime debatit të zhvilluar dhe pranon propozimin për zëvendësimin e z.Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të Kosovës, me deputetin dhe nënkryetarin e LDK-së Kolë Berisha". Dr.Gashi tha se kjo çështje do të përmbyllet në Kuvendin e Kosovës sipas procedurës që e përcakton Rregullorja e punës së Kuvendit.
Z.Daci edhe më parë ka deklaruar se do të pranojë vendimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, në kohën kur e pat mohuar vendimin e Kryesisë së partisë. Kjo çështje tashmë është përmbullur pas më se një javë kundërshtimesh dhe reagimesh.
Në ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës po takohet për konfirmimin e mbajtjes së seancës për nesër, të paralajmëruar ditë më parë nga vetë ajo, ku pritet të zyrtarizohet pa votim dhe debat zëvendësimi i z.Daci me z.Berisha, si dhe votimi i qeverisë së re të Kosovës, përkatësisht votimi i kabinetit të Agim Çekut. rtk
Shtuar më 10/03/2006, ora 09:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori