Grupi Ndërkombëtar i Krizave propozon moratorium dyvjeçar për anëtarësim
Albeu.com
Grupi Ndërkombëtar i Krizave nxori një raport mbi alternativat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në të cilin mbështet propozimin e kryendërmjetësit Ahtisaari për një Kosovë të pavarur nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.Raporti i organizatës joqeveritare thekson se rekomandimet e Presidentit Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur dhe propozimet e tij të hollësishme për zbatimin e planit janë më të mirat që mund të arrihen.
Në raportin e tij Grupi Ndërkombëtar i Krizave shpjegon përse preferenca e Serbisë për të ndarë pjesën veriore të Kosovës, do të ishte tepër e dëmshme, edhe për pjesën më të madhe të pakicës serbe. Raporti analizon gjithashtu atmosferën në Këshillin e Sigurimit, duke theksuar se gjatë kohëve të fundit është shtuar ndjeshëm përkrahja për planin Ahtisaari pas misionit të fundit fakt-mbledhës të Këshillit në rajon.

Organizata i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të miratojë një rezolutë që mbështet planin e Ahtisaari, vetëm me ndryshime të vogla, jo themelore, të cilat mund të ndihmojnë për të bindur Rusinë të mos përdorë të drejtën e vetos.

"Plani i presidentit Ahtisaari është formula më e mirë për krijimin e një shoqërie demokratike të decentralizuar, e cila të mundësojë respektimin e të drejtave të njeriut," thotë Alexander Anderson, drejtor i Projektit për Kosovën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Raporti veçon të drejtën e vetos që gëzon Rusia si pengesën kryesore. Moska këmbëngul që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje me konsensus.

Por Grupi Ndërkombëtar i Krizave mbështet përfundimin e nxjerrë nga Ahtisaari se bisedimet e ndërmjetësuara, të cilat vazhduan për më se një vit, nuk dhanë rezultat duke e bërë të paarritshëm kompromisin. Për më tepër, thuhet në raport, tensionet në Kosovë mund të shkallëzohen deri në një nivel dhune nëse çështja e statusit nuk zgjidhjet brenda kësaj vere.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave rekomandon rishikime të vogla të planit, në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga Rusia, në veçanti caktimin e një të dërguari të posaçëm për pakicat dhe një moratorium dyvjeçar para se Kosova të ketë të drejtën të kërkojë anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në raportin e organizatës i kërkohet udhëheqjes shqiptare të Kosovës të mos shpallë pavarësi në mënyrë të njëanshme. Organizata thekson gjithashtu nevojën që udhëheqja shqiptare të hartojë një strategji për të mbrojtur komunitetin serb të Kosovës, veçanërisht në periudhën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

Sabine Freizer, drejtoreshë e Programit për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë se tani duhet të zgjidhet ose alternativa e imponuar nga komuniteti ndërkombëtar, ose të vazhdohet pa zgjidhje për një të ardhme të parashikueshme. Çdo vonesë në marrjen e një vendimi për statusin e Kosovës do ta ndërlikojë më tej gjendjen e nderë dhe ndarja e Kosovës do të ishte vetëm në të mirë të ekstremistëve, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave. rtk
Shtuar më 15/05/2007, ora 16:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori