Gruevski synon te zbute "Shkupin 2014" permes "Carshise 2015"
Albeu.com
Atelie dhe piktorë, dyqane të restauruara në frymën e pesë shekujve më parë, dryna të ndryshkur dyqanesh karakteristike, panaire artizanësh. Çarshia e vjetër e Shkupit pritet të revitalizohet.
Pas projektit “Shkupi 2014”, projekti për imazhin e ri të një prej zonave më karakteristike të qendrës së kryeqytetit të Maqedonisë është prezantuar në një ceremoni ku ishin të pranishëm krerët e ekzekutivit dhe pushtetit lokal.

Ndryshe nga “Shkupi 2014”, “Çarshia 2015” është publikuar pa paraqitje vizuale dhe ende nuk e ka të përcaktuar as koston, as buxhetin, por vetëm një afat të realizimit, pesëvjeçar. Ndërsa si garanci të realizmit, ka ofruar pjesëmarrjen e kryeministrit Nikola Gruevski, të zëvendëskryeministrit Abdylaqim Ademi, ministres së Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska, si edhe krerëve të komunave Çair, Qendër, Qytetit.

Plani i detajuar i Këshillit për revitalizim, i përbërë nga ekspertë të ndryshëm, ka prezantuar strategjinë e zhvillimit kulturor, turistik dhe ekonomik të zonës.

Sipas planit pesëvjeçar të Qeverisë, transformimi i Çarshisë do të përfshijë përveç një sërë subjektesh shtetërore, por edhe pjesëtarë të organizatave të ndryshme si nga esnafët, tregtarët, banorët e zonës e të tjera. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe pritet që të zgjidhen edhe problemet e denacionalizimit të shumë objekteve. Fuqizimi i ekonomisë dhe zhvillimi i zejeve është një prej pikave që synon të mbështesë artizanatin dhe shumë zeje të falimentuara. Kreu i Çairit, Izet Mexhiti, duke sjellë në vëmendje se kjo pjesë e qytetit ka qenë e anashkaluar, ka siguruar se ky projekt do të realizohet duke e shndërruar Çarshinë në një prej qendrave më atraktive të vendit. Duke potencuar se Çarshinë e kemi amanet nga të parët, Mexhiti është angazhuar që këtë pjesë të trashëgimisë t’ua përcjellin edhe gjeneratave të tjera.

Ministrja Milevska ka vënë në dukje se ky projekt ka për qëllim të revitalizojë këtë pjesë karakteristike të vendit, ku kanë bashkëjetuar në harmoni kultura dhe besime të ndryshme. Prezantimi “Çarshia 2015” është mbyllur me një shëtitje të kryeministrit dhe eskortës që e shoqëronte nëpër lokale të ndryshme nëpër Çarshi.
Shtuar më 18/02/2010, ora 05:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori