Gruevski po i "debon" shqiptaret nga Parlamenti
Albeu.com
Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) as të martën nuk ishin të pranishëm në sallën e Parlamentit. VMRO-DPMNE-ja me politikat e saj ka ngulfatur debatin në shtëpinë ligjvënëse.
Pas bojkotit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), e cila më tepër se shtatë muaj nuk është e pranishme në punimet e Parlamentit, disa herë edhe Demokracia e Re (DR) ka braktisur seancat e Parlamentit.
VMRO-ja e Gruevskit nuk përfilli as vërejtjet e faktorit ndërkombëtar dhe të ambasadorëve të BE-së, Ervan Fuerte dhe atij amerikan Filip Riker se duhet të forcohet dialogu politik dhe të implementohet Marrëveshja e Ohrit.
Jozyrtarisht gazeta ka marrë vesh se në një takim që është realizuar ndërmjet liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryeministrit Nikola Gruevski, kreu “integrist” ka shprehur shqetësimet e tij për situatën e krijuar në vend. Ahmeti ka kërkuar nga Gruevski që disa çështje të mbyllen sa më shpejt. “Zgjidhjet janë kërkuar në çështjen e statusit të dëshmorëve të UÇK-së, në rastin e Sopotit dhe në rastet e Tribunalit të Hagës, ku për këtë çështje ka negociata që zhvillohen mes zyrtarëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së”, thonë burime qeveritare. Sipas tyre, për situatat e fundit Ahmeti është tepër i shqetësuar dhe me autoritetin e tij si ish-përfaqësues politik i UÇK-së dhe tani kryetar i partisë më të madhe shqiptare në pushtet BDI-së ka qenë maksimalisht i angazhuar për të tejkaluar këtë situatë. Kriza qeveritare të hënën është bartur edhe në Parlament, ku deputetët e BDI-së kanë braktisur seancën parlamentare, pasi ishin kundër që Ligji për denacionalizim të kalojë me procedurë të përshpejtuar, ndërsa VMRO-DPMNE-ja e mbivotoi. Partia opozitare shqiptare Demokracia e Re këtë e ka quajtur teatër.
“Rasti i së hënës është edhe një dëshmi se si funksionon ky koalicion dhe kjo qeveri mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Në qoftë se duhet të zgjidhen në institucione, atëherë ditën e djeshme kishim një teatër kur grupi parlamentar i BDI-së lëshoi seancën”, ka thënë Flora Kadriu nga DR-ja.
Këto akuza të opozitës shqiptare janë të pabaza për BDI-në. “DR-ja po përpiqet të poentojë politikisht në çdo mënyrë dhe në këtë ndërmarrje të tyre ata nuk i kursen protesta e së hënës. Duke dalë në protesta, ata e arritën atë që organizatorët nuk e donin atë, që protestës t’i japin kahe politike”, ka thënë Ermira Mehmeti nga BDI-ja.
Ndryshe, sa më shumë po afrohet qershori gjithnjë e më shumë kriza në koalicion po merr hov. Zyrtarë të lartë të BDI-së kohë më parë paralajmëruan se nëse nuk zgjidhet çështja e emrit deri në qershor, BDI-ja do të rishikojë pjesëmarrjen e saj në Qeveri.
Shtuar më 11/05/2010, ora 21:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori