Gruevski për ALSAT: Ndarja me PDSH-në ka qenë e pastër
Albeu.com
Kryeministri Gruevski në një intervistë për Alsat thotë se përveç paralajmërimit se partia e tij nuk do të ngrisë impiçment kundër Cërvenkovskit, nuk do të kërkojë as ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të shtetit në Kuvend.Dëshirojmë që fuqitë t’i masim në zgjedhje, tha Gruevski. Lidhur me çështjet tjera aktuale, kryeministri thotë se ndarja me PDSH-në ka qenë e pastër dhe korrekte, dhe nuk i pengon bashkëpunimi i ri ndërmjet Menduh Thaçit dhe Branko Cërvenkovskit.

Në mënyrë korrekte u ndamë me PDSH-në dhe liderin e saj Menduh Thaçi. Ata mirë i dinë arsyet pse bëmë një gjest të tillë. Nuk kemi kohë për të humbur, e më shumë për të menduar çka dhe si ndodhi në marrëdhëniet me PDSH-në, thotë për Alsatin kryeministri Nikolla Gruevski. E drejtë legjitime e PDSH-së është që të zgjedh me cilin dhe si më tutje do të bashkëpunojë, shton ai.

"Komunikimi që e kanë me të gjithë politikanët është krejtësisht legjitime. Ajo është e drejtë e tyre të zgjedhin me cilin të bashkëpunojnë, ashtu që nuk fokusohem tek ata. Praktikisht unë fokusohem në projekte. Ne qytetarëve u premtuam shumë projekte dhe kjo duhet të realizohet. Me ata ose pa ata ne patjetër duhet ta bëjmë këtë", tha për Alsat kryeministri Nikolla Gruevski.

Ai vlerëson se apeli i Cërvenkovskit deri të PDSH që të kthehet në Kuvend është vetëm maskë në qëllimin e tij që të kthehet në Parlament përmes LSDM-së.

"Këto janë truqe të vjetra të viteve të 90-ta kur Cërvenkovski ishte yll në skenën politike dhe ato janë truqe të vjetruara. Po e lëmë t’i bëjë këto marrëzira dhe t’i luajë lojërat e ripërsëritura", shtoi ai.

Pas arrestimit të kryetarit të Komunës së Strumicës, Zoran Zaev, kryeministri Gruevski mohon paralajmërimet se në radhë janë kryetarë të komunave të tjera. "Nuk ekziston asnjë listë. Të gjithë që kanë gabuar do të gjenden atje ku e kanë vendin" , është decid kryeministri.

"Nuk kemi asnjë renditje. As që kemi qëllim që ata të jenë kryetarët e komunave apo diçka tjetër. Qeveria punon në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin. Atje ku do të ketë njoftime për krim ose ku vetë do të zbulojë, do të veprojë. Ashtu kemi vepruar kur ka pasur krim nga njerëzit që ne i kemi propozuar për ndonjë pozitë dhe një numër i madh i tyre janë të arrestuar dhe gjenden nëpër gjykata. Dhe kështu do të veproj ndaj çdo qytetari i cili e shkel ligjin. Ajo është detyra jonë, për atë paguhemi, ndërsa gjithçka tjetër është përrallë e opozitës në krye me Cërvenkovskin", nënvizoi Gruevski.

Kryeministri edhe një herë haptazi i bëri thirrje Cërvenkovskit të dalë në zgjedhje dhe t’i ballafaqojnë politikat e tyre, për shkak se siç thotë Gruevski, shumica aktuale parlamentare përfundimisht heq dorë nga zgjedhja e Presidentit të shtetit në Kuvend.
Shtuar më 06/08/2008, ora 00:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori