Gruevski injoron debatin per krizen politike
Albeu.com
Pushimet verore janë zgjedhur si shkas që kryeministri Nikolla Gruevski t`i shmanget përgjegjësive lidhur me krizën aktuale politike, por edhe për shënimin e tetë vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.Në prag të shënimit të tetë vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Qeveria është përfshirë nga heshtja totale, ndërsa në të njëjtën situatë është edhe kryeministri Nikolla Gruevski, i cili po vazhdon pushimet e tij në bregdetin turk, i shoqëruar nga një pjesë e stafit të tij.

Kabineti i tij ka njoftuar se po vazhdojnë pushimet e kryeministrit dhe së shpejti pritet edhe deklarimi i tij lidhur me tetë vjetorin e realizimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Poashtu nga kabineti i Gruevskit nuk është konfirmuar pjesëmarrja ose jo e këtij të fundit në ceremoninë e festimit të tetë vjetorit të kësaj marrëveshje, që do të organizohet nën patronazhin e sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, që do të mbahet në një hotel në Mavrovë.

Debatet e fundit midis partive politike, por dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë se sa është realizuar Marrëveshja e Ohrit, ka lënë anash edhe partitë e tjera politike maqedonase.

Deri tani asnjë parti politike nuk është kyçur në këto debate që po ndodhin kryesisht në spektrin politik shqiptar, por edhe ku janë kyçur dy ambasadorët, ai amerikan Philip Reeker dhe ai i BE-së, Erwan Fuere.

Edhe nga selia e VMRO-DPMNE theksojnë se një pjesë e stafit udhëheqës të partisë janë në pushime. Kryeministri Gruevski por edhe një pjesë e kabinetit të ministrave këtë verë po qëndrojnë për pushime në Turqi, ndërsa përveç tyre në rivierën turke po qëndron edhe kryetari i DR-së, Imer Selmani. /INA/
Shtuar më 12/08/2009, ora 20:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori