Gruevski dhe Thaçi ulin gjakrat
Albeu.com
Kryeministri dhe zëvendëskryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi kanë arritur të ulin tensionet dhe të diskutojnë për çështje konkrete, ndërkohë që bisedimet mes tyre do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Njëkohësisht, Gruevski e ka demantuar Ali Ahmetin se janë marrë vesh për Ligjin e dëshmorëve, për gjuhën shqipe dhe për Komitetin e marrëdhënieve ndëretnike.nga Bekim MURATI*
Për më shumë se një orë, kryeministri Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi kanë diskutuar të dielën në selinë e VMRO-DPMNE-së në Shkup për mosmarrëveshjet që të dyja palët i kanë pasur mes vete. Në këtë takim, Gruevski dhe Thaçi kanë arritur të ulin tensionet, ndërkohë që janë marrë vesh për vazhdimin e bisedimeve për ato çështje që nuk është arritur marrëveshje konkrete. Burime zyrtare brenda takimit Gruevski-Thaçi kanë deklaruar për gazetën "Koha" se tanimë i kanë arsyetuar akuzat e ndërsjella që këto dy i bënin nëpërmjet mediave dhe janë zotuar se nuk kanë qenë me prapavijë politike.
"Janë marrë vesh që bisedimet të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme, ndërsa për t'u diskutuar kanë mbetur disa çështje tjera. Akuzat që këto dy i kanë bërë dy ditët e fundit janë tejkaluar, ndërsa kanë deklaruar se kanë qenë pa prapavijë politike".
Kryeministri Gruevski, para takimit, duke demantuar liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se nuk ekziston një dokument, i cili do të nënshkruhet nga Qeveria dhe opozita shqiptare e që do të ishte edhe shkaku për braktisjen e Qeverisë nga ana e PDSH-së.
"Nuk ekziston dokument që Qeveria duhet ta nënshkruajë me BDI-në e Ali Ahmetit", ka thënë Gruevski duke demantuar po ashtu se të dyja palët kanë arritur marrëveshje për Ligjin e dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së dhe për Ligjin e gjuhës shqipe.
"Parimisht me BDI-në kemi kontraktuar se duhet të miratojmë një listë të ligjeve, të cilat do të votohen sipas Badenterit dhe të cilat do të hynë në rregulloren e re të Parlamentit. Është arritur marrëveshje se ndoshta do të ketë edhe çështje të caktuara me Komitetin për marrëdhënie mes bashkësive. Çështja e tretë është e ndërlidhur me ligjin për këtë Komitet", ka thënë Gruevski, duke shtuar se Ligji për luftëtarët, Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe Qeveria e Badenterit janë spekulime të opozitës shqiptare. Kryeministri Gruevski deklaroi se, Thaçi në biseda i ka komunikuar se PDSH-ja është e prekur nga deklarata e BDI-së, sepse ajo do të ndikonte në trupin votues shqiptar.
Ndërkohë, në lidhje me dorëheqjen e Refet Elmazit nga posti i zëvendësministrit të policisë, Gruevski ka thënë se nuk ka njohuri as nga Elmazi e as nga ndonjë zyrtarë tjetër në MPB. Deklaratat në fjalë, kryeministri Gruevski i bëri vetëm pasi zëvendëskryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi të shtunën mbrëma për mediat elektronike deklaroi se partia e tij do ta ndërpresë bashkëpunimin me partnerin në koalicionin qeveritar VMRO-DPMNE, nëse qeveria e Gruevskit nënshkruan çfarëdo marrëveshje me BDI-në.
Thaçi me këtë rast ka deklaruar se dalja nga qeveria e Nikolla Gruevskit është shkaktuar nga marrëveshja e paralajmëruar mes VMRO-DPMNE-së me partinë e Ali Ahmetit, ndërkohë që për largimin nga koalicioni është marrë vesh edhe me liderin e partisë, Arbën Xhaferi. Ndërkohë, edhe sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Ruzhdi Matoshi tha se vendimi për braktisjen e koalicionit është pasojë edhe e dorëheqjes së zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Refet Elmazi dhe tre funksionarëve të lartë të MPB-së nga kjo parti. Ai konsideron se nëse miratohet marrëveshja politike mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së do të shkaktojë "komplikime të vështira politike". G. Koha
Shtuar më 28/05/2007, ora 22:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori