Pranvera s’ka ndërmend të vijë, në Dibër nisin reshjet e borës (VIDEO)

Është data 10 prill. Supozohet të jetë pranverë dhe lulet të kenë çelur, por këtë vit dimri nuk ka ndërmend të largohet.

Këtë e tregoi edhe dita e sotme ku në pjesën më të madhe të vendit ka pasur reshje intensive, ndërsa në Dibër kanë nisur reshjet e dëborës.

Nga reshjet dhe prurjet e përrenjve malorë ka pasur rënie të gurëve dhe inerteve në rrugë, ça ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve por pa shkaktuar bllokime. Në orët e mesditës qyteti i Peshkopisë është përfshirë nga një stuhi bore, me intensitet të lartë.

Nga reshjet e borës nuk ka probleme në qytet por në zonat e thella trashësia shkon në 15 cm, duke krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve dhe duke bërë të detyrueshëm përdorimin e zinxhirëve në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit.

Edhe rrugët e qytetit të Peshkopisë u mbuluan nga uji që vinte nga prurjet anësore të përrenvje, ku për shkak të intensitetit nuk e përballonin kanalet anësore.

Sistemi frontal i cili ka përfshirë vendin do të përfundojë gradualisht pasdite e në mbrëmje. Më tej vendi do të jetë në influencë të masave ajrore të qëndrueshme. Këto masa do të jenë të pranishme gjatë javës së ardhshme duke sjellë mot me diell dhe ditë të vërteta pranverore me mëngjese e mbrëmje të freskëta.

Era do të fryjë nga veriperëndimi e juglindja e lehtë e gjatë ditës së hënë mesatare në bregdet. Valëzimi në dete i forcës 2-3 ballë.

Siç shihet edhe në tabelën e mëposhtme, e hëna dhe e marta pritet të jenë më të freskëta, ndërsa të enjten dhe të premten temperaturat do të arrijnë deri në 25 gradë./albeu.com


Shtuar 10.04.2022 14:12