Grida Duma 'turni' i tretë në çadër!
Protesta e nisur paraditen e së shtunës nga Partia Demokratike po vijon edhe në këto orë të pasdites dhe pritet të shkojë më tej edhe në ditët në vazhdim.

Në tendën e ngritur në bulevard janë rreth 1 mijë vetë. Kryesisht atje dominon muzika, por ka edhe fjalime nga qytetarë të ndryshëm.

Në një prononcim për Top Channel, sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Gruda Duma ka deklaruar se, reagimi i opozitës do të vijojë deri në një periudhë të pacaktuar, derisa kryeministri Rama t’i japë përgjigje problemeve, që sipas saj, i ka krijuar vetë me qeverisjen e tij.

Zonja Duma, ju do të qëndroni në çadër?

Grida Duma: Pa tjetër që do qëndroj. Kam turnin tim sepse jemi të organizuar. Do të jemi pas mesnate, do të bëjmë pak pushim dhe do të kthehemi prap.

Deri kur do të vazhdoni?

Grida Duma: Pa limit.

Pa limit deri më 18 qershor?

Grida Duma: Pa limit sepse po bëjmë një rezistencë në mënyrën më qytetare.

Po si do bëhet rezistenca, me muzikë dhe fjalime?

Grida Duma: Ju ndoqët një protestë ku fjalimet i mbajtën qytetarët, ku nuk u përmend asnjëherë emri i Edi Ramës dhe pati një fjalim të kryetarit Basha. Është një mënyrë e re komunikimi. Në thelb qëndrojnë zgjedhjet e lira e të ndershme, sepse me Edi Ramën s'ka garanci.

Kështu keni ndërmend ta mbani protestën, me këtë numër njerëzish?

Grida Duma: Këta njerëz me zor e kanë pritur këtë protestë.

Kolegu juaj, Aldo Bumçi tha se i kërkon Ramës të dorëhiqet butësisht, ose do të përdoren mjete të tjera. Cilat janë këto mjete?

Grida Duma: Mjetet janë të gjitha. Mjetet politike, kushtet që do të vendosim ne, që janë të kombinuara e që do të na çojnë aty ku presim. Kjo është e sigurtë.

Mendoni se Edi Rama nuk do t'i bëjë dot ballë kësaj rezistence?

Grida Duma: Ai duhet të përballet me atë që ka shkaktuar vetë. Është një individ që nuk kërkoi njëherë falje për premtimet që nuk i mbajti. Është përgjegjësia e tij dhe e opozitës për ta vendosur në qendër e të përgjigjet./Albeu.com/
Shtuar më 18/02/2017, ora 20:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori