Greqia vendos kritere te rrepta per dhenien e nenshtetesise
Albeu.com
Kritere më të rrepta ka vendosur qeveria greke në projektligjin e ri për dhënien e nënshtetësisë imigrantëve të ligjshëm që jetojnë në Greqi, si edhe fëmijëve të tyre.
Sipas ministrit të Brendshëm, që e ka paraqitur për diskutim në komisionin përkatës të Parlamentit, projektligji bën fjalë vetëm për ata imigrantë të ligjshëm, të cilët ndodhen në Greqi 20 vjetët e fundit dhe se në formulimin e tij u morën parasysh edhe pikëpamjet e partive tjera dhe shtresave shoqërore.
"Besojmë se është nevojë kombëtare, shoqërore dhe ekonomike integrimi i imigrantëve legalë në shoqërinë greke", tha Yiannis Ragousis, ministër i Brendshëm grek.

Nga kriteret që u ndryshuan më kryesoret janë: fëmijët e huaj që lindin në Greqi marrin automatikisht nënshtetësinë greke vetëm kur të dy prindërit imigrantë jetojnë në mënyrë të ligjshme të paktën pesë vjet në vend. Nënshtetësinë mund ta marrin gjithashtu fëmijët e imigrantëve të ligjshëm që nuk kanë lindur në Greqi, por kanë ndjekur me sukses për 6 vjet mësimet në shkollën greke.

Ndërsa, ndër kushtet thelbësore për dhënien e shtetësisë është njohja e mirë e gjuhës greke, historisë dhe kulturës, të cilat do të testohen nga komisione te veçanta, ndërsa për tu pranuar kërkesa për nënshtetësi nevojiten edhe tri letra rekomandimi nga shtetas grekë. Që të mund të bëjë kërkesë për nënshtetësi, imigranti duhet të ketë jetuar për pesë vjet në Greqi, ndërsa përgjigja nga ana e shtetit do të jepet brenda dy vjetësh.
"Do të duhet që kriteret të bëhen më serioze dhe më të rrepta, të zbatojmë pra edhe ne Greqi legjislacionin dhe eksperiencën evropiane", tha Panos Panagiotopoulos, zëdhënës i Demokracisë së Re.

Konservatorët grekë dhe ultranacionalistët kanë shprehur frikën për ndryshimin e përbërjes së trupës zgjedhore, sidomos në zgjedhjet lokale të nëntorit të ardhshëm ku llogaritet se do të kenë të drejtë vote, por edhe të drejtën për t'u zgjedhur 266 000 votues të rinj, shumica e tyre homogjenë dhe imigrantë nga Shqipëria.
Shtuar më 06/02/2010, ora 20:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori