Greqia kushtëzon integrimin e Shqipërisë me pronat e minoritetit
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias paraditen e kësaj të enjteje për televizionin publik grek u shpreh se është gabuar me mbështetjen pa kushte ndaj Shqipërisë.

“Siç duhet ta dini, Shqipëria është vend kandidat për anëtar në BE. Për fat të keq, këto kandidatura u dhanë pa kushte nga qeveritë e mëparshme greke”, u shpreh Kotzias

Ministri grek tha se kjo çështje duhet të marrë zgjidhje tanimë që kërkohet mbështetja për hapjen e negociatave, ku një nga kushtet e vëna nga Greqia fqinje është edhe mbrojtja e të drejtës së pronës për gjithë minoritetin.

"Që të hapen negociatat për anëtarësim, duhet që këto vende të plotësojnë disa kërkesa. Shqipërisë, KE-ja i vuri si kusht reformën e sistemit gjyqësor. Dhe ne i shtuam edhe 4 të tjera”, deklaroi Kotzias.

Sipas tij, nuk mund të vazhdohet me reformën e Enver Hoxhës qe njihte si minoritarë vetëm ata që banonin në dy zona. Dhe nëse ai zhvendosej nga fshati i tij në një tjetër qytet apo Tiranë, nuk e gëzonte më këtë status. Por, kjo gjë tani ka jo vetëm vëmendjen e qeverisë greke, por edhe mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së.

“Greqia po punon që t’u jepen titujt e pronësisë, në mënyrë që të jenë të sanksionuara edhe ligjërisht të drejtat e atyre që duan të shesin apo ua shtetëzon shteti për nevojat e tij. Se këtu nuk shqetësohemi për sekuestrimin e pronave të himariotëve, por ngaqë nuk po flitet për kompensim”, tha ministri i Jashtëm i Greqisë.

Kotzias konfirmoi masën drastike për heqjen e nënshtetësisë greke të kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro: “Politikanët që nuk respektojnë të drejtat e minoritetit grek nuk mund të kenë nënshtetësinë greke. Për fat të keq, nuk e di se çfarë kanë bërë qeveritë e mëparshme dhe kanë marrë nënshtetësinë greke edhe tipa të çuditshëm, ndër ta edhe kryebashkiaku i Himarës. Ne ia hoqëm nënshtetësinë sepse nuk mund të jesh shtetas grek dhe në të njëjtën kohë të shkelësh të drejtat e minoritetit grek”.

Ky reagim vjen në një moment kur u fol për një afrim të qëndrimeve në funksion të zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve. Kotzias takoi pak ditë më parë në Nju Jork ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili foli për një dëshirë greke për të zgjidhur problemet dhe për nisjen e bisedimeve në nivel ekspertësh për t’ia paraqitur më pas dy kryeministrave./tch
Shtuar më 28/09/2017, ora 17:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori