Greqia dhe Turqia në prag konflikti të armatosur, dhjetra shqiptarë në kufirin mes dy vendeve
Greqia dhe Turqia kanë rritur ndjeshëm tonet gjatë javëve të fundit ku mjafton një shkëndije për të ndezur një konflikt të armatosur.

Këtë fakt e përforcojnë edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë në të dy shtetet, të cilët i hedhin më shumë benzinë zjarrit.

Ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe Greqisë si edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke kanë bërë deklarata të mirëfillta lufte duke rritur shqetësimin në Europë dhe më gjerë.

Sa i përket Shqipërisë, problem është fakti se në ushtrinë greke gjendet mijëra të rinj shqiptar që kanë lindur apo janë shkolluar atje dhe po kryejnë shërbimin ushtarak.

Nga ana tjetër, miliona shqiptarë të tjerë jetojnë prej dekadash në Turqi dhe një konlfikt i armatosur mes dy vendeve krahas grekëve dhe turqve, do t'i vinte shqiptarët kundër njeri-tjetrit.

Përmes një interviste të disa muajve më parë me një shqiptar që shërbente në kufirin me Turqinë në ushtrinë greke, Albeu.com mësoi se në këtë zonë janë dërguar dhjetra të rinj me origjinë nga Shqipëria nisur edhe nga qasja anti-shqiptare e ministrit të Mbrojtjes, Kamenos.

Tre ditë më parë, gjatë vizitës në ishullin kufitar Kastelirizo, ministri grek i Mbrojtjes bëri deklarata të forta kundër Turqisë, por kur helikopteri i tij u ngrit në qiell, dy avionë turq iu afruan atij.

Në vetëm pak minuta në zonë ia behën 8 avionë të tjerë turq dhe 6 avionë grekë, ndërsa gjatë 24 orëve të mëvonshme, grekët pretendojnë se gjuajtësit turq hynë 110 herë në hapësirën e tyre ajrore, një rast i paprecedent gjatë viteve të fundit.

Më pas, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke deklaroi se në rast se turqit futen në ndonjë prej ishujve të kontestuar, ata do ta bënin atë rrafsh me tokën, deklaratë kjo që ngjalli mjaft reagim në Turqi.

Greqia dhe Turqia kanë qenë vazhdimisht në një marrëdhënie të vështirë për shkak të sovranitetit të disa ishujve në Egjeun Lindor, por retorika është ashpërsuar tani kur Qiproja, me mbështetjen e Athinës është duke kryer kërkime për gaz në det, gjë të cilën Ankaraja e kundërshton për aq kohë sa turqit nuk janë në lojën e madhe të ndarjes së pasurive të Egjeut. /albeu.com/


Shtuar më 22/12/2018, ora 12:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori