Grekët: Ilia Kareli nuk vdiq nga torturat
Vdekja e Ilia Karelit nuk ka ardhur nga torturat e pësuara në burg. Ky përfundim ka ardhur pas ekspertizës. Asnjë nga gardianët grekë që akuzoheshin se me torturat e tyre kishin shkaktuar vdekjen e të dënuarit shqiptar Kudret Kume, të njohur si Ilia Kareli, në marsin e vitit 2014, nuk do të shkojë në burg.

Gjykata e Selanikut ka dhënë dënimet për 12 nga 14 rojet e akuzuar, prej të cilëve 6 janë dënuar me 5 vjet heqje lirie me kusht, 3 të tjerë me 6 vjet me kusht dhe 3 të fundit me 7 vjet.

Ky dënim i liron ata para Gjykatës së Apelit, ndërsa mund të rikthehen në të ardhmen përsëri në punët e tyre dhe e vetmja e drejtë që iu hiqet në këto vite është dalja jashtë shtetit.

I akuzuari i 13-të është dënuar me 3 vjet me kusht, ndërsa drejtori i burgut të Nigritës ku ndodhi ngjarja është shpallur i pafajshëm lidhur me akuzat, pasi ka pasur dyshime për akuzën ndaj tij.

Gjykata ka pranuar konvertimin e akuzës për të cilën gjykoheshin të pandehurit nga “kryerje e dallueshme torturash” në “kryerje të thjeshtë të torturave” dhe kjo ka sjellë dënimet e lehta për gardianët e akuzuar, që sipas gjykatës, nuk e dinin se i burgosuri kishte kaluar një infarkt në zemër. /albeu.com/





Shtuar më 13/10/2016, ora 15:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori