A po përgatitet ISIS për sulme të reja terroriste në Evropë?

Nga Gavin Mortimer “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në Francë ekziston një shqetësim gjithnjë e më i madh se një valë e re e terrorizmit islamist do të shpërthejë së shpejti në Evropë. Në shkurt, Adel Bakawan, ekspert franko-iranian i ekstremizmit islamik, deklaroi se Shteti Islamik po rigrupohet dhe po planifikon një sulm masiv që do të shkaktojë viktima në Berlin, Londër ose Paris.

Javës që kaloi, president i Qendrës për Reflektim mbi Sigurinë Kombëtare, Thibault de Montbrial, foli në terma të ngjashëm gjatë një interviste radiofonike. Ndërsa ISIS, ose Shteti Islamik, nuk ka më një kalifat siç kishte midis viteve 2014-2019, ai ka ende shumë ndjekës fanatikë të shpërndarë në Irak, Siri dhe Afganistan.

Duke iu referuar një raporti të shërbimeve sekrete holandeze publikuar në maj, De Montbrial tha se Shteti Islamik “ka filluar tashmë ri-futjen e njësive komando aktive” në Evropë me synim kryerjen e sulmeve të reja ndaj Perëndimit. Që nga viti 2015, nuk janë nxjerrë mësimet e duhura dhe janë bërë pak përmirësime për të forcuar kufijtë e Evropës.

Ai shton se rruga e përdorur nga Shteti Islamik është nga Siria dhe Afganistani, duke lëvizur përmes Turqisë dhe më pas duke u nisur për në Gjermani ose Suedi, zgjidhet sepse këto vende “konsiderohen si më islamiket në aspektin e numrave”. Sipas tij, lehtësia me të cilën ISIS ka mundur të infiltrojë luftëtarët e tij në Evropë është për shkak të vendimit “absolutisht tragjik” të Angela Merkel në vitin 2015 për të hapur kufijtë e Evropës për më shumë se 1 milionë emigrantë dhe refugjatë. Dhe alarmin për këtë nuk po e japin vetëm ekspertët e sigurisë.

Në prill, DGSI (Direction Générale de la Sécurité Intérieure), ekuivalenti francez i MI5 britanike, publikoi ​​një raport me titull “Gjendja e kërcënimit terrorist”. Dokumenti niste me disa statistika: që nga viti 2012, në Francë janë vrarë 271 njerëz nga terroristët islamikë, ndërsa 1200 të tjerë janë plagosur.

Këto shifra të zymta do të kishin qenë më të larta po të mos ishin parandaluar në kohë 71 sulme, nga të cilat 63 falë punës së agjentëve të DGSI.  Sipas De Montbrial, shërbimet sekrete franceze po bëjnë një punën fantastike duke bashkëpunuar ngushtë me homologët e tyre amerikanë dhe izraelitë.

Tani sfida është se Evropa po “përballet me një valë në shkallë të gjerë migrimi në planin afatgjatë”. Raporti i DGSI paralajmëroi se “aftësia e Shtetit Islamik mbetet e paprekur”, dhe se Al Kaeda ka celula të reja në Perëndim. Dikur organizata terroriste islamike më e shquar, kjo e fundit është lënë në hije dekadën e fundit nga Shteti Islamik. Megjithatë, ajo ka degë në Afrikë, sidomos në Somali dhe Sahel, të cilat “po dallohen në nivel lokal për rritjen e fuqisë së tyre operacionale”.

Po në Afrikë është gjithnjë e më aktiv Shteti Islamik. Sipas Wassim Nasr, autorit të librit “Shtetit Islami ose vendosja para faktit të kryer”, ky grupim ekstremist ka një “interes të vazhdueshëm në Afrikë, që është dhe epiqendra e aktivitetit xhihadist në mbarë botën”.

Pastaj është edhe kërcënimi nga ekstremistët vendas që nuk i përkasin as Shtetit Islamik dhe as Al Kaedës. Këta janë fanatikë, të cilët përshkruhen shpeshherë nga mediat perëndimore si “ujqër të vetmuar”, një term i refuzuar nga shumica e ekspertëve të terrorizmit.

Eksperti i shquar francez mbi ekstremizmin islamik, Gilles Kepel, ka shpikur shprehjen “xhihadizëm atmosferik” për këta ndjekës të zellshëm të ISIS, të cilët ai i përshkruan si “sipërmarrës të zemëruar”. Zakonisht të rinj dhe karizmatikë, ata rekrutohen në mediat sociale nga islamikët radikalë më të mëdhenj në moshë, strategjia e të cilëve është “krijimi i një kulture shkëputje me Republikën Franceze dhe vlerat e saj…diçka që më pas do të krijojë natyrshëm emërtimin e tjetrit si i pafe”.

Një shembull i tillë është vrasësi 18-vjeçar i mësuesit Samuel Paty. Raporti i DGSI mbyllej me një parashikim ogurzi. “Rreziku i një kërcënimi të parashikuar, i cili është zvogëluar vitet e fundit, mund të rishfaqet si rezultat i disa zhvillimeve rajonale”- parashikojnë shërbimet sekrete franceze.

Këtij parashikimi i bëri jehonë muajin e kaluar edhe Ministri i Brendshëm i Francës, Gérald Darmanin, gjatë një vizite në Nju Jork për të diskutuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë. Në një intervistë për mediat, Darmanin tha se ndërsa autoritetet në SHBA janë të fokusuar tek “supremacizmi i bardhë, masakrat masive të përsëritura, teoritë e konspiracionit”, kërcënimi më i madh në Evropë vjen nga “terrorizmi islamik”.

Nuk është ndonjë çudi që Franca është shumë e shqetësuar. Në shtator ky vend mirëpret Kupën e Botës në regbi ndërsa në verën e vitit 2024 mirëpresin Lojëra Olimpike të Parisit. Do të jetë një makth për ata që merren me çështjet e sigurisë dhe sipas një raporti në “Le Figaro”, shërbimet e sigurisë po përgatiten për skenarin më të keq të një sulmi me një “bombë të pistë”.

Dikush mund të shpresonte se përballë kaq shumë paralajmërimeve të forta, Evropa do të kishte shfaqur një vendosmëri kolektive më të madhe për të kontrolluar kufijtë e saj.

Dhe siç tregohet në sondazhet e përsëritura, kjo është ajo që duan evropianët.

Mjerisht shumica e klasës politike mbetet e lidhur me idenë e lëvizjes së lirë, pavarësisht nga rreziku që paraqet kjo qasje për kontinentin. Pas masakrës së Parisit të vitit 2015, kur 130 persona u vranë në një seri sulmesh të koordinuara, Agjencia Kufitare e BE-së, Frontex publikoi një raport prej 76 faqesh.

“Sulmet e Parisit në nëntor 2015, treguan qartazi se flukset migratore të paligjshme mund të përdoreshin nga terroristët për të hyrë në BE”- thuhej ndër të tjera në të. Më pas dokumenti përshkruante se si 2 nga celulat terroriste të Shtetit Islamik kishin shfrytëzuar rrugën e emigrantëve për të hyrë në Evropë duke përdorur “dokumente të rreme siriane për të përshpejtuar procesin e regjistrimit të tyre”.

Që nga ajo kohë, nuk është nxjerrë asnjë mësim, dhe janë bërë pak përmirësime për të forcuar kufijtë e Evropës. Gjithsesi kaosi është intensifikuar dhe numri i emigrantëve dhe refugjatëve që mbërrijnë këtë vit, po i afrohen një shkalle të paparë që nga viti 2015. Evropa mund të shpresojë vetëm që midis tyre të mos ketë luftëtarë të dërguar nga Shteti Islamik. /albeu.com


Shtuar 19.06.2023 10:16