Grekët i përgjigjen Ramës e Tahirit: Në vendin tonë hyjnë vetëm shqiptarët që plotësojnë kushtet
Situata e krijuar ditët e fundit në pikat kufitare me Shqipërinë është pasqyruar edhe në mediat greke. Ato thonë se “qytetarët shqiptarë kalojnë me pikatore”, duke vënë në dukje se ky fenomen është më i theksuar në Kakavijë, që përbën edhe pikën kryesore të kalimit kufitar me Shqipërinë.
Pala greke thotë se në Greqi nuk lejohet të hyjnë vetëm ata qytetarë shqiptarë që plotësojnë gjithë kushtet e marrëveshjes Schengen.

Kjo thuhet edhe zyrtarisht në një njoftim të publikuar mbrëmë nga ministria vendase e rendit, që pasqyron vizitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke në Tiranë, të premten.

Duke iu referuar takimit të kryepolicit me ministrin e brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, njoftimi i autoriteteve greke vë në dukje se “ministri shqiptar shtroi çështjen e kalimit të qytetarëve të vendit të tij drejt Greqisë.

Drejtori i përgjithshëm i policisë nënvizoi se policia greke zbaton me rigorozitet detyrimet që burojnë nga marrëveshja Schengen, si dhe kriteret që kërkohen për hyrjen e shtetasve të vendeve të treta në hapësirën e zonës së Shengenit”.

24 orët e fundit në pikën kufitare të Kakavijës, qindra qytetarë janë ankuar se nuk janë lejuar të kalojnë ose janë kthyer mbrapsht nga autoritetet greke për mungesë dokumentacioni.

“Buldozerët e Ramës po shembin shtëpitë greke në Himarë” titullohet artikulli, që gazeta “Ethnos” e së dielës i kushton tensioneve mes Athinës dhe Tiranës.

Me dy artikuj pasqyron zhvillimet me Tiranën edhe “Kathimerini” e së dielës. Në shkrimin e radhës, analisti i njohur Stavros Tzimas jep prapaskenën e të gjithë tensionit midis dy qeverive për Himarën, duke theksuar se mosdërgimi i buldozerëve, ndërsa afati i paralajmërimit ka mbaruar qysh të enjten, tregon një përpjekje për të ulur tonet, megjithëse kryebashkiaku Goro deklaron se ndërtesat e paligjshme do të shemben.

Ndërsa në artikullin e dytë theksohet se, Athina është tepër skeptike për nacionalizmin e vonuar mendësor shqiptar, që merr përmasa në një moment kur Tirana ka zgjedhur Greqinë si bosht të fushatës elektorale, ndërsa pret raportin e progresit të Komisionit Europian për fillimin e negociatave për anëtarësim. Këtu aludohet se, nëse gjykimi për Shqipërinë do të jetë pozitiv, Athina po analizon mundësinë e një vetoje, me justifikim shkeljen e të drejtave të minoritetit.




Shtuar më 06/11/2016, ora 16:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori