Grekët në festë: Frikacaku Rama u zbyth nga tokat e himariotëve
Një pjesë e mirë e mediave online në Greqi janë duke raportuar pasditen e sotme në lidhje me një tërheqje sipas tyre të qeverisë shqiptare nga dhënie për zhvillimin e turizmit të një hapësire të madhe tokash në zonën e bregdetit, të cilat pretendohen edhe nga banorët lokalë.

Protothema shkruan se qeveria shqiptare ka fshirë nga Fletorja Zyrtare vendimin Nr. 172 / 27.2.2019 të Këshillit të Ministrave, i cili bën rregullimet për kalimin e një numri të madh ngastrash toke në inventarin e ministrisë së Turizmit dhe asaj të Ekonomisë për t'i vënë në shërbim të investitorëve strategjikë, shkruan Albeu.com.

Këto prona sipas qeverisë shqiptare janë dhënë në kundërshtim me ligjin 7501 në fillim të viteve '90 personave që nuk ishin rezidentë në këto zona.

Ndërkohë komuniteti lokal përmes organizatës "Omona" ka pretenduar pronësinë mbi to duke e quajtur qeverinë shqiptare uzurpatore.

Mediat greke vijojnë duke shkruajtur se Rama është tërhequr nga ky vendim për shkak të presionit të qeverisë greke duke i lënë kështu dorë të lirë himariotëve për të gëzuar këto prona.

"Megjithatë, nuk dihet nëse kjo është tërheqje momentale apo një truk i shqiptarëve për të shmangur presionin grek të paktën për momentin", shkruan Protothema.

Çështja e tokave
Një vendim i Qeverisë “Rama” transferoI 41 parcela toke nga Vlora deri në Ksamil në pronësi të Ministrisë së Turizmit “për projekte të investimit në zonat që kanë përparësi zhvillimin e Turizmit”. Organizata Omonia dhe Ministria e Jashtme Greke e dënuan vendimin si shpronësim të banorëve të fshatrave të jugut.

Një vendim qeverie i 21 nëntorit, i publikuar vetëm pak ditë më parë në Fletoren Zyrtare , i transferon Ministrisë së Turizmit në Tiranë 41 parcela toke në zonën bregdetare nga bregdeti në veri të Vlorës deri në Ksamil me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 1 mijë hektarësh me synimin e “projekteve të investimit në zonat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit”.

Vendimi përmban një listë me pronat që zyrtarisht sot janë ara ose kullota dhe të cilat qeveria thotë se janë pronë publike në zonat më tërheqëse turistike të vendit, përfshirë zonën pranë fshatit Akërni në Vlorë, Gjilekë, Dhërmi, Porto Palermo, Lukovë, Vuno, Jalë, Livadh dhe Potam të Himarës, Piqeras, Nivicë dhe Ksamil. Sipas vendimit, Ministrisë së Turizmit i lejohet vetëm që t’i japë këto toka ” me qëllim përdorimin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm në turizëm”.

“Ministrisë përgjegjëse për turizmin i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të paluajtshme, sipas pikës 1 të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë ato në përdorim të tretëve, përveç projekteve të investimit në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit,” thuhet në vendim.

Omonia, një organizatë që përfaqëson minoritetin grek të Shqipëri, e kritikoi vendimin si “shkelje të të drejtave të pronësisë së banorëve”.

“Këto sipërfaqe qe po nëpërkëmbën nga Ministria e Turizmit me qellim dhënien me konçension të tyre kundrejt çmimit 1 euro, janë prona private të banorëve të Krishterë Orthodhoksë Grekë të Bashkisë së Himarës,” thuhet në një njoftim për shtyp të Omonias të publikuar të martën.

Pak pas publikimit të njoftimit të Omonias, edhe Ministria e Jashtme e Greqisë e kritikoi vendimin, të cilin e konsideroi “Arbitrar”.

“Ne shprehim shqetësim të thellë mbi vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë që jep në mënyrë arbitrare Ministrisë së Turizmit parcela toke që përfshijnë prona private të shtetasve grekë,” thuhet në njoftim.

“Ky vendim si dhe një projektligj i lidhur me të sjellin një dhunim flagrant të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë së minoritetit grek në Shqipëri,” vijon deklarata.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të revokojë këtë vendim dhe të rishikojë projektligjin për të siguruar që të gjithë titujt e pronësisë të jepen drejtpërsëdrejti për të gjithë pronarët legjitimë pa përjashtim.”

Qeveria shqiptare ka propozuar paralelisht me vendimin, një projektligj në kuvendin e Shqipërisë që synon të anulojë vendimet e shpërndarjes së tokave në zonat bregdetare duke sjellë shpronësim faktik pa dëmshpërblim të banorëve të këtyre zonave. Edhe në projektligjin në fjalë, synimi i deklaruar është përdorimi i këtyre tokave “për investime strategjike”.

Një projektligj i propozuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama synon të anulojë Aktet e Marrjes në Përdorim të Tokës Bujqësore në zonat bregdetare duke refuzuar regjistrimin e pronësisë së tyre në të gjitha rastet kur parcelat e tokave “janë zënë nga ndërtimet pa leje” ose janë zënë nga të ashtuquajturit “investitorë strategjikë”.

Projektligji “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 10, pika 2 [link], parashikon që toka bujqësore e shpërndarë më parë dhe për të cilën, fshatarët kanë aplikuar për ta regjistruar nën pronësi, duhet të plotësojë disa kushte, mes të cilave, kjo tokë “nuk duhet të jetë e zënë nga ndërtimet pa leje” si dhe “nuk duhet të jetë objekt i investimeve strategjike”.

Projektligji në fjalë parashikon gjithashtu që ndërtimet pa leje, pavarësisht se ku gjenden, të mund të blejnë tokën kur atë ia kanë grabitur të tjerëve (situatë e rëndomtë kjo në bregdetin shqiptar) si dhe të paguajnë çmimet e hartës së qeverisë “Rama”, çmime shumë të debatuara që janë disa dhjetëra herë më të ulëta se sa çmimet e tregut.

Reagimi i OMONIA-s

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pasi më parë me Ligj dha me konçesion sipërfaqe falas për “investitorë strategjikë”, në vazhdim ka firmosur Vendimin me Nr. 708 të datës 21.11.2018 të Këshillit të Ministrave, në bazë të të cilit 46 sipërfaqe toke në bregdetin jugor të vendit kalojnë nën juridiksionin e Ministrisë së Turizmit me qellim shfrytëzimin turistik. Ndërsa Liugji u referohet pronave publike shtetërore, nga hartat bashkangjitur është qartësisht e dallueshme se bëhet fjalë për shkelje të pronave private.

Nga këto 46 copa toke me sipërfaqe të përgjithshme 1.614 ha, të 41 copat me sipërfaqe 1.377 ha gjendën në Bashkinë e Himarës dhe vetëm 5 copa toke me sipërfaqe 237 ha gjendën në Vlorë dhe në Ksamil. Këto sipërfaqe qe po nëpërkëmbën nga Ministria e Turizmit me qellim dhënien me konçension të tyre kundrejt çmimit 1 euro, janë prona private të banorëve të Krishterë Orthodhoksë Grekë të Bashkisë së Himarës.

Konkretisht, në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave në pronësi të Ministrisë së Turizmit kalojnë:

92,46 ha në Dhrymadhes (dhe Gilekates)
78,87 ha në Vuno
62,77 ha në Himarë (midis të tjerave 34,66 në Livadh, 4,97 në Potam, 2, 76 në Filikuri)
60,1 ha në Palermo
4,48 ha në Piqeras
24,48 ha në Lukovë
46,46 ha në Shën Vasil
993 ha në Nivicë
Të gjitha copat e tokës qe shtetëzohen u takojnë pronarëve të ligjshëm në bazë të certifikatave nga Arkivat e Shtetit Shqiptar dhe të titujve qe u dhanë në dhjetëvjeçarin 1990, por edhe të titujve qe u dhanë për joshjen e votës së Himarioteve gjatë 5 viteve të fundit të qeverisjes Rama.

Sa për ilustrim u referohemi dy rasteve gjatë të cilave Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë gjenjente dhe luante me banoret, siç është e qartë nga hartat e mëposhtme:

Trualli mbi të cilin u rrafshuan 4 prona të paluajtshme në zonën e Jalës të fshatit Vuno në shtator, përfshihen sipërfaqe toke qe i kalojnë Ministrisë së Turizmit, ndërsa me vendim të Këshillit Bashkiak dhe të Kryetarit të Bashkisë i ishte dhënë familjes Bala.
Para Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2017 dhe me synim të qartë shitblerjen e votave të tetë familjeve në Kakome të Nivicës u shpërndanë tituj pronësie, ndërkohë qe këta tituj nuk ishin regjistruar në Zyrën Hipotekore. Ky trual si edhe gjithë zona përreth përfshihen në sipërfaqet qe ndryshojnë regjim pronësor me Vendimin në fjalë të Këshillit të Ministrave.
Ndërsa planifikohej dhe zbatohej ky plan i cili përbën shkelje flagrante dhe nëpërkëmbje të të drejtave të banorëve të krahinës, Kryeministri shqiptar ishte në bisedime për zgjidhjen e problemit pronësor me Qeverinë Greke, me banorët e krahinës, me Himarjotet e Amerikës, ndërkohe qe i bënte premtime në ajër Bashkimit Evropian.

Tashmë nuk mbetet asnjë dyshim rreth synimeve të Qeverisë Rama për sa u përket pronave të banorëve vendas me origjinë greke të Himarës, rrëmbim, varfërim dhe me synim fundor braktisja prej tyre e vatrave stërgjyshore.

Vendimi në fjalë i Këshillit të Ministrave në koordinim me Projektligjin qe është dërguar në Parlamentin Shqiptar dhe pritet të kalojë deri me 20.12.2018 synojnë tu japin fund të gjitha pretendimeve të banorëve për pronat e tyre stërgjyshore. Projektligji në fjalë parashikon qe sipërfaqet bujqësore qe u ishin shpërndarë për përdorim bujqve dhe për të cilat banorët kanë paraqitur dokumentet në Zyrat Kadastrale, me qellim qe të rifitonin të drejtën e pronësisë “nuk do të duhet të ekzistojnë në to ndërtesa të paligjshme” dhe “nuk duhet tu takojnë atyre truajve të cilat me Ligjin nr. 55/2015 janë karakterizuar si investime strategjike”. Duhet shënuar se për sipërfaqet në fjalë Shteti Shqiptar nuk ka dhënë kurrë leje ndërtimore, duke e bërë në këtë mënyrë ngritjen e ndërtesave të parregullta si të vetmen rrugë zgjidhjeje për banorët.

Si rrjedhim i te gjithë atyre qe përmendëm më lart informojmë Qeverinë Shqiptare dhe Kryeministrin Edi Rama se do të shterojmë çdo mjet drejtësie për mbrojtjen e të drejtave, të interesave dhe të pasurive tona, si brenda në vend, aq edhe jashtë vendit, pranë Organizmave Ndërkombëtare dhe në Gjykatat Ndërkombëtare. Do të informojmë për këtë hollësishëm për lëvizjet skandaloze të Ramës si Qeverinë Greke ashtu edhe Bashkësinë Ndërkombëtare. Në përpjekjen tonë do të vihen në pararojë Himarjotet kudo ku janë. Edi Rama para planeve të tij për pasurim imediat dhe të paligjshëm të vetvetes dhe të “bashkëpunëtorëve” të tij, do ta gjejë pengesën tek ne, të përpjekja jonë e ligjshme dhe në mobilizimin tonë permanent dhe këmbëngulës.
Shtuar më 30/03/2019, ora 18:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori