Grate shqiptare me me ndikim ne Maqedoni
Albeu.com
Tashmë është bërë e zakonshme që edhe femrat shqiptare në Maqedoni të udhëheqin poste të rëndësishme në politikë, me ç`rast në mesin e më të dalluarave janë: Teuta Arifi, Ermira Mehmeti, Mirushe Hoxha, Lindita Qazimi, Flora Kadriu, etj.
Janë disa nga femrat e politikës dhe sidomos ato që gëzojnë poste të larta në partitë politike. Sipas Iliria News Agency-INA, ato janë të pranishme në skenën e acaruar politike shqiptare, mirëpo kryesisht nuk hyjnë në pjesën e kritikave, akuzave dhe betejës së ashpër politike, ku nuk kursehet asgjë. Femra shqiptare në politikë është një tribun i respektuar dhe shpeshherë ajo ka respektin e saj, duke mos u involvuar për të keq në politikë, por vetëm duke respektuar parimin e përfaqësimit të grave, që kërkohet sipas modeleve të funksionimit demokratik të partive politike.

Teuta Arifi

Gazetarja dhe më pas profesoresha e Universitetit “Kirili dhe Metodi” dhe më pas UEJL-së në Tetovë, Teuta Arifi papritmas dhe befas u fut në politikë në vitin 2001, atëherë kur konflikti ishte në përmasat e larta midis UÇK-së dhe forcave shtetërore të sigurisë. Ajo disa herë ishte propozuar në grupin negociator të ekspertëve dhe intelektualëve shqiptarë për qetësimin e situatës në kuadër të takimeve me presidentin e ndjerë Boris Trajkovski, por më pas edhe me partitë politike. Me themelimin e BDI-së ajo papritur u rreshtua në radhët e kësaj partie, duke i`u shmangur profesionit të saj dhe duke u ngjitur në kreun më të lartë të subjektit të ri që doli nga UÇK-ja. Ajo ishte sugjeruar që të përfshihet në subjektin shqiptar të dalë nga lufta. Tempoja e saj politike ka qenë në një variabël të pandryshuar, edhe pse disa herë dhe së fundi ajo ka shfaqur mospajtimet me politikën e kreut të partisë së saj dhe veprimet në kuadër të institucioneve të qeverisjes.

Ermira Mehmeti

Ermira Mehmeti, një zëdhënëse e re dhe si politikane premtuese gjithashtu i hyri ujrave të politikës në vitin 2002, me themelimin e BDI-së. Ajo ishte treguar mjaft aktive dhe e gjindshme me veprimet e saj në politikë, edhe përkundër moshës dhe papërvojës së saj. Gjatë karrierës së saj politike ajo është treguar mjaftë energjike dhe luftarake në mbrojtjen e platformës politike të subjektit të i takon. Vazhdimisht është aktive në shumë debate politike në media të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu është e pranishme në shtypin e përditshëm në Maqedoni me kolumnat e saja që kanë të bëjnë me aktualitet në vend. Ajo arriti të kurorëzohet për herë të parë edhe me postin e deputetes në zgjedhjet e fundit, ndërsa për shkak të angazhimeve familjare dhe dëshirës për të qëndruar pranë bashkëshortit të saj në Tiranë, ku kryen misionin e tij diplomatik, Ermira nuk është aq e ekspozuar së fundi në debatet apo skenën e përgjithshme politike.

Mirushe Hoxha

Nga një profesoreshë universitare, Mirushe Hoxha i hyri gjithashtu politikës. Ishte kandidate presidenciale nga Partia Demokratike Shqiptare dhe një nga kandidatet e para femër. Ajo me karizmin e saj ka arritur që të tregojë diçka në politikë, mirëpo deri tani nuk ka arritur që të shpërthejë me shpalosjen e qëndrimeve të saja politike. Mirushe Hoxha kohëve të fundit as që është vërejtur aktive në skenën politike dhe brenda partisë së saj, ndërsa siç bëhet e ditur ajo sërish i është përkushtuar shkencës dhe synimeve të saj në sferën shkencore, duke qëndruar jashtë vendit për specializime të ndryshme. Nuk dihet deri tani se si do të rikthehet kjo politikane e re shqiptare.

Flora Kadriu

Nga aktrimi kalon në politikë dhe se ajo ka dalë në skenë më e qartë dhe më aktive, që kur u zgjodh si deputete e Parlamentit. Tanimë është njëra ndër gratë më aktive në politikën shqiptare, e cila nuk heziton ti përgjigjet çdo pyetje apo problemi që shtrohet nga mediat, por edhe qytetarët. Deputetja Flora Kadriu ka arritur që të ngrejë zërin e saj si grua shqiptare edhe në Parlamentin e Maqedonisë, e cila në detyrën e shefes së kabinetit, ka shtruar dhe propozuar shumë çështje të rëndësishme. Megjithatë ajo sërish mbetet aktive në kuluaret e Parlamentit.

Lindita Qazimi

Lindita Qazimi është funksionarja më e re, e cila në moshën e saj rreth 27 vjeçare u zgjodh në postin e zëvendësministres. Ajo rrallë herë duket në publik, por edhe kur del sidomos shfaqet për temat, problemet apo inaugurimet në sferën e arsimit. Duke qenë në pozitën e lartë në Ministrinë e Arsimit ajo vazhdimisht ka shprehur vullnetin për të zgjidhur shumë probleme dhe sfida, të cilat megjithatë kanë ngelur në duart e ministrit Nikolla Todorov, apo ish-ministrit Pero Stojanovski. Qazimi ka qenë në shënjestër të kritikave për shumë problemet e krijuara në sferën e arsimit, sidomos atij shqiptar. (ina)
Shtuar më 09/07/2010, ora 14:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori