Gramsh/ Totozani ballafaqohet me ankesat e banorëve
Avokati i Popullit, Igli Totozani, ishte sot në Bashkinë e Gramshit, për të marrë ankesat e banorëve të kësaj zone. Në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Hapura, së bashku me ekspertë të institucionit, Avokati i Popullit regjistron ankesat e atyre banorëve, të cilët nuk kanë mundësi që të vijnë në zyrat e institucionit në Tiranë.

Totozani u njoh me shqetësimin e disa familjeve, pronat e të cilëve ishin përmbytur, si pasojë e ngritjes së nivelit të ujit në liqenin e Banjës. Këta banorë u ankuan duke thënë se nuk janë dëmshpërblyer ndërsa uji i ka përmbytur tokat dhe u rrezikon seriozisht shtëpitë.

Një tjetër problem që shqetësojnë banorët e Bashkisë së Gramshit lidhet me vështirësitë në gjetjen e dokumenteve të përfitimit të pensionit të pleqërisë, pasi shumë prej tyre nuk gjenden në zyrat aktuale dhe arkivat e tyre.

Një gjë e tillë i ka detyruar këta banorë t’i drejtohen gjykatave me kosto të lartë financiare dhe duke humbur kohë.

Mungesa e strehimit social, papunësia, si dhe ndihma e ulët ekonomike e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e një familje ishin shqetësime të tjera që u paraqitën nga banorët e Bashkisë së Gramshit në takimin që patën me Avokatin e Popullit dhe ekspertët e institucionit.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, zhvilloi një takim me Kryetaren e Bashkisë së Gramshit, znj. Luljeta Dollani, ku diskutoi mbi këto shqetësime të qytetarëve dhe mori garancinë se këto çështje po trajtohen rast pas rasti, si dhe po bëhen përpjekje për të gjetur zgjidhje.

Një grup ekspertësh të Avokatit të Popullit zhvilluan edhe seanca trajnimi me punonjës të pushtetit vendor në këtë zonë. /albeu.com/
Shtuar më 17/11/2016, ora 16:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori