Grabitjet në Rinas / Cilët janë tre autorët e tjerë, ish-të dënuar në Greqi
Tre persona, ish-të dënuar në Greqi, miq të Admir Muratajt e Klement Çalës, janë shpallur në kërkim policor si të dyshuar për grabitjet e ndodhura më 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017.

Emrat e tyre nuk bëhen të ditur, për shkak se janë ende në proces verifikimi dhe po kërkohen prova konkrete për përfshirjen e tyre në ngjarjet e ndodhura në rrugën Tiranë- Rinas.

Për Policinë e Tiranës nuk ishte rastësi përfshirja e disa ish-të dënuarve në Greqi, në dy grabitjet e ndodhura në rrugën e Rinasit. Madje duket se gjithçka ishte planifikuar nga ata, të cilët përfshinë edhe persona të tjerë në grup për realizimin e vjedhjes së miliona eurove.

Një analizë e imtësishme është bërë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku duket se janë gjetur elemente shumë të ngjashme të grabitjes së 1 milion eurove në bankën e Larisas, në Greqi, me grabitjen e rreth 7 milionë eurove në dy bankat në Tiranë.

Pasi u analizuan të gjitha elementet e ngjarjeve në Greqi e në Shqipëri, rezultuan thuajse identike sa i përket organizimit, mënyrës për të kryer goditjen, por edhe faktit se “aksioni” i grupit synonte vlera të mëdha monetare, nga 1 milion euro e lart.

Pasi ky grup u largua nga Greqia, atje nuk ndodhi më ndonjë grabitje e përmasave të tilla. Nga ana tjetër, edhe materialet e mbërritura nga autoritetet greke ndihmuan shumë, jo vetëm në zbulimin e grupit, por edhe hetimin e ngjarjeve.

PROVAT

Burime nga grupi hetimor thanë dje se, përveç Admir Muratajt (Nikajt), që dyshohet të jetë organizatori kryesor i grabitjeve, emri i të cilit doli që ditën e parë të operacionit "Patriot", si person i kërkuar, tashmë janë siguruar prova edhe për shokun e tij. Klement Çala, 28 vjeç, nga Elbasani, sipas burimeve është po ashtu organizator i grabitjeve.

Emri i tij figuron në kërkim ndërkombëtar në listën e Interpolit, por për akuza të ngritura nga autoritetet greke.

Ndërsa në lidhje me 3 personat e tjerë të shpallur në kërkim policor, nuk ka ende ndonjë provë konkrete për përfshirjen e tyre, por dyshime që sipas Policisë janë ngritur për shkak të miqësisë dhe bashkëpunimit të mëparshëm në krime që ata kanë pasur me Admir Muratajn e Klement Çalën.

Nga ana tjetër, Policia është në kërkim të provave shkencore për grabitjen e tretë që grupi i të arrestuarve e kërkuarve dyshohet të kenë kryer në Tiranë.

Grabitjen e bankës së nivelit të dytë, tek ish-Stacioni i Trenit, më 13 shkurt të vitit 2015. Burimet thanë se deri tani ka vetëm prova dytësore që nuk mund të faktojnë përfshirjen e tyre, transmeton "Panorama".
Shtuar më 27/02/2017, ora 09:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori