Grabitja spektakolare e Rinasit, një skemë e përgatitur prej muajsh (VIDEO)
Teksa grabitja te ish-stacioni i trenit po harrohej, vjen një tjetër goditje edhe më spektakolare. Në datën 3 Dhjetor të vitit 2015, specialist i thesarit në Bankën Credins, njofton eprorët se paratë e grumbulluara kishin arritur limitin e zakonshëm dhe u vendos eksportimi i një sasie drejt Vjenës në Austri te “Raiffeisen Bank”.


“Ndodh në raste specifike kur banka korrespondente në raport me bankën shqiptare kanë një detyrim për të paguar në kesh diferencat që kanë mes njëra tjetrës, Rasti i dytë është për të mos mbajtur fonde më shumë kesh se sa një nivel i përcaktuar”, tha Elvin Meka, Ekspert Ekonomie.

Këtë herë njoftohet me email të koduar kompania private e sigurisë, “Rogat Security’ që mbërrin sipas orarit të përcaktuar. Blindi i kompanisë dhe mjeti shoqërues i eskortës mbërrijnë te thesari i bankës. Plot 10 thasë me para bëhen gati sipas procedurave me dokumentet shoqëruese për eksport drejt Austrisë.

Paratë ngarkohen në mjetin e blinduar i cili ndiqej nga një “benz” ku ndodheshin dy punonjës të armatosur të policisë private.

Gjatë udhëtimit drejt Rinasit, në kryqëzimin ndërmjet rrugëve të fshatrave Bërxull, Domje dhe Laknas, mjetit të blinduar ju pre rruga nga një fuoristradë, me ngjyrë ulliri, me fenelinë policie dhe xhama të zinj. Personat e zbritur nga mjeti, të maskuar, të armatosur, të veshur me uniformë policie, qëlluan me armë dhe, me ndihmën e një varreje, çanë xhamin e blindit dhe hapën derën.

“Ky grup kriminal ka vepruar me përpikmëri, anëtarët i kishin të qarta detyrat. Bashkëpunonin në mënryrë perfekte, kreu jepte urdhrat, ekzekutorët kishin detyrat e qarta”, tha Klodiana Lala.

“Mjetet mbase nuk ishin në nivelin e duhur, në parametrat që kërkon shërbimi i transportimit të vlerave monetare, njerëzit duhet të përgatiten në atë mënyrë që të përgjigjen siç duhet këtij shërbimi”, tha Veli Myftari, ish Drejtor i Policisë.

Referuar dosjes hetimore, gjithsej u grabitën 1.8 milionë Paundë britanikë, 800 mijë dollarë amerikanë, 200 mijë dollarë kanadezë dhe 200 mijë dollarë australianë.

Gjithsej ishin 5 grabitës, tre prej të cilëve detyruan policët privatë në mjetin shoqërues të shtrihen në tokë. Dy prej tyre, edhe pse të armatosur, nuk reaguan.

“Kur paratë janë në udhëtim përgjegjësia i bie SHPSF”, tha Elvin Meka, ekspert ekonomie.

Pas, disa minutash, fuoristrada e autorëve gjendet pranë urës së Limuthit e djegur. Ajo, i përkiste një shtetasi nga Kosova dhe policia dyshonte se grupi vinte po nga andej.

Në fund të vitit 2016, informatorët në terren sigurojnë për policinë disa të dhëna për shpenzime që nuk justifikonin të ardhurat nga ana e Fatjon Xhyliut, një 33-vjeçari nga Lushnja.

“Një person i papunë që filloi të shpenonte për parukerinë, riparonte shtëpinë, bënte veprime të pajustifikuara që nuk kishtë asnjë të ardhur për të siguruar jetesën”, tha Klodiana Lala.

Informacioni merrte mjaft vlerë pasi bëhej fjalë për një ish-punonjës të kompanisë së sigurisë “Rogat”, së cilës i ishin grabitur paratë gjatë shoqërimit drejt Rinasit.

Pavarësisht dështimit të kësaj kompanie, vlen të theksojmë se në 4 vite e fundit, ka fituar plot 35.1 milionë lekë nga fondet publike për shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë fizike.
Shtuar më 21/02/2019, ora 09:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori