Grabitja në Rinas, ja emrat e 5 të arrestuarve me urdhër të Prokurorisë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar pesë urdhër arreste për grabitjen spektakolare të ndodhur të enjten në aeroportin e Rinasit

Bëhet fjalë për arrestimin e pesë punonjësve të aeroportit si dhe të kompanisë së sigurimit të brendshëm të aeroportit. Urdhër arrestet pritet të ekzekutohen nga Policia e Shtetit, raporton Panorama.

Njoftimi i Prokurorisë së Krujës:

Prokuroria e Krujës ka urdhëruar ndalimin e disa drejtuesve dhe punonjësve të kompanisë private të sigurisë së aeroportit të Rinasit, në vijim të hetimeve të nisura për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në pistën e fluturimeve, ngjarje e ndodhur të Enjten, në datë 30.06.2016.

Prokuroria e Krujës ka nisur menjëherë hetimet mbi ngjarjen dhe në bazë të veprimeve të deritanishme se, drejtues dhe punonjës të kompanisë së sigurimit “ICTS” dyshohet se kanë shpërdorur detyrën, duke krijuar mundësinë që tre persona të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave në mjetin që transportonte vlerat monetare në drejtim të bordit të një avioni.

Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambjentet e brendshme të aeroportit të Rinasit.

Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria e Krujës, e cila po heton mbi veprimet e personelit të sigurimit, dyshon se kanë shpërdoruar detyrën dhe ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasit, si më poshtë:

Arben Karafili, Drejtor Operacional i kompanisë “ICTS”

Bledar Blloshi, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë)

Fadil Jonuzaj, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë)

Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë

Vangjel Nikolla, kryetar i Degës Teknike të Aeroportit.

Urdhërat e ndalimit janë ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë mbrëmjen e së Premtes (dt. 01.07.2016). Ndërkohë, hetimi për vjedhjen po kryhet nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi ka dyshime se vepra penale është konsumuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./Albeu.com/

Shtuar më 01/07/2016, ora 22:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori