Grabitja në Rinas/ Ja reagimi i policisë pas dyshimeve për dekonspirim
Policia e Shtetit është prononcuar në lidhje me grabitjen e ndodhur disa javë më parë në Rinas. Ajo hedh poshtë pretendimet se po hetohen efektivë policie me dyshimin se kanë dekonspiruar operacionin që Policia e Tiranës po kryente për arrestimin e autorëve të grabitjes spektakolare në Aeroportin e Rinasit.

"Policia e Shtetit ka angazhuar specialistët e saj më të mirë dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon hetimin e pandërprerë për zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të grabitjes së vlerave monetare në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

Nisur nga disa shkrime në media, Policia e Shtetit konfirmon se nuk ka asnjë hetim për dekonspirim të operacioneve policore në kuadër të këtij hetimi, ashtu siç janë të pavërteta e thjesht shpifje, pretendimet për veprime të pasakta nga ana e policisë.

Çdo veprim i policisë është pjesë e një plani hetimor të detajuar e të koordinuar me të gjitha strukturat përkatëse.

Për shkak të natyrës së hetimit, policia nuk mund të japë më shumë detaje për publikun, por fton këdo që ka informacion në lidhje me autorët të bëhet bashkëpunues dhe të ndihmojë autoritetet". /albeu.com/

Shtuar më 24/07/2016, ora 14:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori