Grabitja në Rinas/ Gjendet vareja brenda makinës së djegur të autorëve
Gjatë kontrolleve të kryera te makina e djegur në Rinas policia pëvecc gjetjes së disa parukave që mendohet se kanë qenë të përdorura nga autorët e grabitjes, konfirmon se disa prova të tjera ishin lënë nga autorët në makinën.

Gjatë kontrollit të makinës tip “Benz” e cila është gjetur e djegur pranë Aeroportit në drejtim të Urës së Tapizës, janë gjetur brenda saj pincat e përdorura nga njëri prej grabitësve për prerjen e çelësit metalik të derës që është hapur për hyrjen e automjetit në pistën e avionëve.

Brenda në makinën e djegur pranë Aeroportit, është gjetur edhe një vare (mjet goditës) me të cilën mesa duket, autorët e krimit synonin të godisnin mjetin e blinduar të parave, pasi të arrinin pranë tij, shkruan Panorama.

Kjo vare, nuk është përdorur nga autorët e grabitjes, të cilët pasi kanë hyrë në pistën e Rinasit, e kanë gjetur me dyer të hapura furgonin ku ndodheshin paratë. Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë, njëri nga pesë të arrestuarit, ka qenë në pjesën e përparme të furgonit.

Ai qëndronte në zonën e pjesës së timonit dhe për shkak të vapës kishte hapur dyert e mjetit në të dy krahët. Në momentin kur makina e autorëve ka hyrë në Aeroport dhe ka ndaluar pranë furgonit që ishte afruar tek avioni për të bërë vendosjen e parave në mjetin fluturues që nisej për në Austri, autorët kanë dalë në të dy anët e furgonit që ishte me dyer të hapura.

Ky fakt duket edhe nga kamerat e sigurisë së Aeroportit. Për këtë arsye, vareja nuk është përdorur, por në momentin e largimit të autorëve, ajo është lënë brenda automjetit, të cilit i është vënë flaka me qëllim zhdukjen e gjurmëve të lëna në të.

Vareja e përdorur në Rinas, ka qenë identike sipas Prokurorisë, me atë të përdorur në grabitjen e ndodhur me datë 3 dhjetor 2015, rreth orës 13:30, në segmentin rrugor Qafë Kashar-Rinas, në afërsi të kryqëzimit të fshatrave Bërxull. Atë ditë, pas bllokimit të rrugës dhe goditjes me vare të blindit me 3.8 milionë euro, është grabitur kjo shumë. /albeu.com/
Shtuar më 06/07/2016, ora 08:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori