Grabitja në Rinas, i penduari "tradhton" shokët: Ja sa fitova
“I penduari” i prokurorisë, Admir Çerpja, ka dhënë detaje të reja për Krimet e Rënda në lidhje me grabitjet me armë të rreth 7 milionë eurove në rrugën Qafë- Kashar-Rinas.

Në dëshminë e tij, sipas Prokurorisë, shtetasi Admir Çerpja ka pranuar faktin se ka marrë pjesë në të dyja ngjarjet në vjedhjen me armë, në datën 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017.

Gjatë deklarimeve që ka dhënë për prokurorinë, Admir Çerpja ka shpjeguar për rolin e tij (si informator), ndërsa ka dhënë shpjegime edhe për rolin dhe veprimet e personave të tjerë të përfshirë në këto ngjarje, raporton “Panorama”.

“Po ashtu ai ka deklaruar se në këto ngjarje ka qenë edhe shtetasi Dash Kupa”, bëri me dije Prokuroria. Sipas saj, në dëshminë e tij, Admir Çerpja ka deklaruar se si rezultat i këtij bashkëpunimi, ai ka përfituar nga vjedhja e parë vlerën monetare prej 70000 paundësh.

“I penduari” ka shpjeguar se shumën e përfituar nga grabitja e parë e ndodhur në dhjetor 2015 e ka shpenzuar. Nga ana tjetër, në dëshminë e Çerpjes shpjegohet se vlerën monetare të përfituar nga vjedhja e dytë ai ka deklaruar se ashtu siç e kishte marrë e mbante të fshehur, të vendosur në një tenxhere hermetike dhe të groposur afër banesës së tij në Bathore. Kjo shumë, sipas Policisë, ka qenë rreth 100 mijë dollarë.

ROLET NË GRUPIN E GRABITËSVE

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vetëm pak ditë që ka marrë në dorë dosjen e grupit të grabitësve, por bazuar në provat e mbledhura më herët nga Prokuroria e Tiranës dhe veprimet e kryera së fundi dyshon se Admir Murataj dhe Dash Kupa janë organizatorët e dy grabitjeve të ndodhura në Qafë-Kashar-Rinas.

Sipas informacioneve policore, njohja mes këtyre dy personave dyshohet se ka nisur që në burgjet greke, ku ka qenë i dënuar edhe Dash Kupa për akuzat e grabitjes. Prokuroria ka dyshime se janë këta dy të dyshuar, Admir Murataj dhe Dash Kupa, që kanë gjetur personat e tjerë me të cilët kanë kryer grabitjet.

Dy organizatorët dyshohet se kanë siguruar edhe armët, si dhe mjetet për të lëvizur nga vendi i ngjarjes, para, gjatë dhe pas secilës nga grabitjet. Informacioni për lëvizjet e mjeteve të transportit të parave, mënyrën e organizimit të tyre dhe shumat e parave që mjetet transportonin, burimet thonë se siguroheshin nga Fatjon Xhyliu, Ditjon Memlikaj, Neim Avdulaj dhe Admir Çerpja, personi që ka prezantuar informatorët me grabitësit.

Pas dhënies së informacionit, prokuroria tregon se grabitësit i kanë shpërblyer me shuma të mëdha parash të dyshuarit Fatjon Xhyliu (ishpolic privat), Ditjon Memlikaj )ish-komandi) dhe Admir Çerpja (informator). Mendohet se paratë në formën e shpërblimit pas çdo grabitjeje i shpërndante Neim Avdulaj, edhe ky ish-komando, person i njohur më së shumti me Ditjon Memlikën e Fajton Xhyliun.

GRABITJET

Një shumë prej 3.8 milionë eurosh është grabitur në rrugën Tiranë-Rinas në zonën e Qafë-Kasharit, më 3 dhjetor 2015. Eskorta e policisë private u përball me një pritë me 4-5 persona të armatosur, që duke u hequr si policë ndaluan mjetet dhe pasi kërcënuan e qëlluan me armë disa herë thyen xhamat e blindit dhe morën paratë.

E njëjta skenë ndodhi më 9 shkurt 2017 në rrugën pranë Rinasit, kur autorët morën 3.2 milionë dollarë. Ata që informonin për lëvizjen e mjeteve të policive private dhe ndihmësit janë kapur, ndërsa nuk janë kapur personat që kanë vepruar të armatosur në realizimin e vjedhjeve të shumave të konsiderueshme. Pavarësisht shumës totale prej 7 milionë eurosh, deri tani janë gjetur vetëm 400 mijë euro./Albeu.com/
Shtuar më 26/02/2017, ora 08:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori