Grabitja horror në Athinë, pas nënës ndërron jetë edhe babai i familjes shqiptare (FOTO LAJM)

Nisi si një ngjarje horror dhe po vijon me të njëjtin intensitet edhe tre ditë më pas.

Mediat greke raportojnë se sot ka ndërruar jetë edhe një shqiptar tjetër për shkak të sulmit që iu bë një familjeje shqiptare në Athinë.

Bëhet fjalë për babain e familjes së sulmuar nga persona të maskuar dy ditë më parë në kryeqytetin grek. Natën e sulmit ndërroi jetë edhe nëna, 50 vjeçare ndërkohë që mbeti i plagosur në fytyrë edhe djali i tyre 27-vjeçar.

Krimi ndodhi më datë 3 shkurt në orën 02:00 në rrugën "Olympou" në kryeqytetin grek ku persona të maskuar hynë në shtëpinë e një familjeje shqiptare duke qëlluar me armë fillimisht ndaj gruas 50 vjeç dhe më pas ndaj bashkëshortit të saj, të cilët tashmë kanë ndërruar jetë të dy.

Paralelisht plagosën me mjete prerëse në fytyrë djalin e tyre 27 vjeç. Gjithçka në prezencë të vajzës 17-vjeçare. Çifti u dërgua me urgjencë në spital por gruaja ndërroi jetë gjatë rrugës, ndërsa burri u trnasportua në spital në gjendje të rëndë, ndërsa humbi jetën sot pasi kishte marrë dëmtime të mëdha në kokë.

Policia greke fill pas ngjarjes së rëndë pohoi se po heton rreth dy pistave, për një grabitje të mundshme. Nga dëshmia e fëmijëve të çiftit Halitaj, mësohet se agresorët flisnin shqip.

Po ashtu, pavarësisht pistës së grabitjes, nuk përjashtohet edhe fakti se mund të ketë qenë një larje hesapesh, pasi autorët kanë hyrë direkt në dhomën e gjumit dhe kanë hapur zjarr.

Sipas ekspertëve të çështjes, fakti që vrasësit nuk qëlluan ndaj dy fëmijëve lë vend për dyshime se bëhet fjalë për larje hesapesh. Sakaq, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, e cila mori dy jetë njerëzish.
Shtuar më 06/02/2017, ora 12:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori