Hidhet nga kati i dytë për t’i shpëtuar policisë, në pranga shqiptari klandestin në Itali

Një 30-vjeçar shqiptar i cili ishte kthyer në mënyrë ilegale në Itali për herë të dytë është arrestuar nga policia.

Shqiptari ka tentuar t’i shpëtojë policisë që trokitën në derën e shtëpisë ku ishte mysafir duke u hedhur nga dritarja e katit të dyti, por mori dëmtime në këmbë dhe legen.

Sipas Parma Today, ngjarja ka ndodhur pasditen e së mërkurës, 13 prill. Me të mbërritur policia për të verifikuar prezencën e personit, i cili ka precedentë të shumtë për krime kundër pronës dhe trafik droge, 30-vjeçari ka tentuar të arratiset duke u hedhur nga dritarja e dhomës së gjumit.

Policia e ka transportuar atë në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm. Aktualisht ai ruhet në spitalin Vaio, në përfundim të trajtimeve dhe operacioneve të identifikimit do të dëbohet sërish.

Në vitin 2019 ai u dëbua nga territori kombëtar pasi konsiderohej si person i rrezikshëm. Një vit më vonë u arrestua nga karabinierët e Milanos pasi u kthye në Itali ilegalisht, me një emër tjetër. Pas gjyqit ai u dëbua dhe u riatdhesua në Shqipëri.