Grabitja e qëllimshme? Ja elementët e sigurisë që hedhin dyshimet mbi punonjësit…
Vazhdojnë hetimet intensive mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit për identifikimin dhe kapjen e autorëve të 2.7 milion euro të grabitur para dy ditësh rrugës për në Rinas.

Një ndër pikat kyçe të hetimet janë edhe procedurat e ndjekura nga banka dhe shkeljet e sigurisë të cilët kanë çuar në lehtësimin e vjedhjes nga ana e grabitësve pasi nga ato nuk ka ngelur asnjë gjurmë.

Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se disa elementë të rëndësishëm sigurie nuk janë respektuar dhe përgjegjës për këtë duket se nuk janë vetëm punonjësit e policisë private që u arrestuan.

Fakti që sistemi i kamerave të sigurisë në bagazhin e mjeteve ku mbaheshin paratë ka qenë teknikisht funksional, por nuk kanë regjistruar, dëshmon se nuk janë ndezur qëllimisht.

E njëjta gjë vlen edhe për aparaturat GPS që nuk kanë qenë të ndezura qëllimisht dhe i vetmi aparat gjurmimi që funksiononte mbahej në një thes bosh, që ndodhej poshtë sediljes së shoferit të njërës prej makinave.

Burime nga grupi hetimor thanë dje se këto janë detaje të sigurisë, për të cilat duhet të jenë në dijeni edhe përfaqësues të bankës që bënte transferimin e parave, pasi janë ata që sigurojnë paratë, të cilat më pas vendosen në makinën e blinduar. Për këtë arsye po hetohen edhe procedurat e ndjekura nga përfaqësuesit e bankës./albeu.com/

Shtuar më 11/02/2017, ora 09:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori