Grabitja e famshme në Rinas, zbulohet vendi ku fshihet njëri prej autorëve
A.P, 37 –vjeçari i identifikuar si njëri prej 3 grabitësve të 1 milion eurove në pistën e aeroportit të Rinasit dyshohet se fshihet në Rumani.

Strukturat qendrore të hetimit në Policinë e Shtetit dhe Prokuroria e KrimeveRënda kanë mundur t’i ndjekin gjurmët e tij deri në këtë vend.

Burime të rezervuara nga grupi hetimor bënë me dije për Tv Klan se A.P dyshohet të jetë larguar nga Shqipëria pak ditë pas grabitëjes së 30 qershorit.

Pas afro 7 muajsh hetimesh, Prokuroria e KrimeveRënda ka kërkuar që ndaj tij të vendoset masë sigurie në mungesë.

Në bazë të provave të paraqitura, Gjykata e KrimeveRënda ka vendosur masën arrest me burg dhe pas këtij vendimi është bërë shpallja e 37 –vjeçarit në kërkim ndërkombëtar.

Prova kryesore që organi i akuzës ka paraqitur në gjykatë është kampioni i ADN-së, i gjetur nga ekspertët kriminalistë në paruken e hedhur nga autorët pas grabitjes.

Kampioni i ADN-së i është marrë dhe krahasuar me një të afërmi të të dyshuarit dhe nga ky krahasim është ndërtuar profili i ADN –së së tij.

Parukja rezulton se është mbajtur nga A.P, i cili ka qene drejtuesi i autovetures tip Mercedes Benz me ngjyrë vishnje qe u përdor nga grabitësit dhe u dogj jo shumë larg Rinasit.

A.P dyshohet se është anëtar i një bande që vepron kryesisht në zonën përreth aeroportit. Edhe dy bashkëpunëtoret e tij mendohet se janë banore të së njëjtës zone.

Lidhjet e grabitësit te identifikuar po hetohen ndërkohë, pasi dyshohet se mes tyre gjenden edhe dy grabitësit.
Shtuar më 06/02/2017, ora 17:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori