Grabitja e bankës në Tiranë, zbulohet shuma që morën autorët
Janë zbardhur detaje të reja nga grabitja e filialit të bankës së nivelit të dytë në Tiranë mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Ngjarja ndodhi vetëm 20 minuta pasi banka kishte hapur dyert dhe punonjësit kishin filluar aktivitetin. Dy persona me armë hynë në filial rreth orës 08:25, në bankën që ndodhet pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, në kryeqytet.

Autorë të ngjarjes kanë qenë dy persona të maskuar dhe të armatosur që, pasi morën paratë, janë larguar me një motor tip “Papaq”. Ndërsa në momentin kur grabitësit janë futur në bankë, aty ndodheshin vetëm punonjësit, pasi ende nuk kishte hyrë asnjë klient. Burime nga Policia e Tiranës thanë për “Panorama” se synimi i autorëve ka qenë grabitja e parave që ndodheshin në kasafortën e bankës. Por në atë moment hapja e saj ka qenë e pamundur, duke qenë se orari për hapjen e kasafortës me 3 çelësa ishte ora 09:00 dhe ende nuk ishte plotësuar stafi i nevojshëm.

Në pamundësi për të marrë paratë që ndodheshin në arkë, autorët janë drejtuar te kasa, ku ndodhej punonjësja pas xhamit. Njëri prej tyre, duke e kërcënuar me pistoletë, e ka detyruar atë që t’i japë të gjitha paratë që kishte gjendje në atë moment.
Burimet thanë se e ndodhur përballë tytës së armës, punonjësja është detyruar t’i japë autorit shumën e parave që, sipas të dhënave paraprake, dyshohet të jetë rreth 200 mijë lekë të rinj.

PËRPLASJA

Në momentin që grabitësit janë futur në bankën e nivelit të dytë te “21 Dhjetori”, personi i parë me të cilin janë përballur ka qenë roja i sigurisë, një burrë rreth të 60¬ave. Njëri prej autorëve e ka përplasur atë pas murit, duke e rrëzuar në tokë dhe më pas është drejtuar për tek arka për të realizuar vjedhjen e parave. Burime nga Policia e Tiranës thanë se autorët kanë vepruar me shpejtësi për të shmangur rënien e sinjalit të alarmit, pasi banka ndodhet shumë pranë Komisariatit nr.2 dhe shërbimet e rendit mund të shkonin shumë shpejt në vendngjarje.

Megjithatë, nuk kanë arritur ta shmangin sinjalin, edhe pse kanë arritur të largohen në kohë, para se aty të mbërrinte policia. Gjatë kohës që njëri nga grabitësit kërcënonte arkëtaren për t’i dhënë paratë, roja i sigurisë që ishte përplasur më parë në tokë ka arritur të aktivizojë alarmin. Në këtë moment, grabitësit i ka zënë paniku dhe kanë nxituar të largohen nga banka.

Ndërsa gjatë momentit që largohen, ata janë përplasur në një prej tavolinave dhe njërit prej grabitësve i ka rënë në tokë pistoleta që mbante në dorë. Duke nxituar për t’u larguar nga vendngjarja, ai nuk ka pasur kohë që ta marrë armën dhe është larguar bashkë me shokun e tij, duke lënë pistoletën në ambientet e brendshme të bankës./Albeu.com/
Shtuar më 20/12/2016, ora 18:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori