“Je i vdekur”, kërcënohet me jetë Aleksandër Vuçiç

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka marrë një kërcënim me vdekje në Instagram, që është bërë shkas për t’u bërë lajm në mediat e Beogradit.

Një përdorues i kësaj platforme nga Beogradi, që është prezantuar si ish-aktor dhe tekstshkrues i këngëve, ka publikuar një video duke bërë thirrje për vrasjen e Vuçiç.

Ai ka publikuar fotografi të kosës, që sipas B92 simbolizon vdekjen, me përshkrimin “Për Aleksandar Vuçiç”, të shoqëruar gjithashtu me një këngë të titulluar “Je i vdekur”.

“Je i vdekur, thika është e gjatë, nata është e ftohtë, në muzg vdekja do të të vijë te dera”, është teksti i kësaj kënge, transmeton Gazeta Express.

Sipas raportimeve, menjëherë pas kërcënimit, Prokuroria në Beograd ka urdhëruar organet e sigurisë që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, për ta identifikuar autorin e këtij krimi ndaj presidentit të Shtetit dhe për ta ndjekur atë.