Vizita e Lavrovit në Beograd, MPJ: Kemi refuzuar kërkesën për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Maqedonisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut edhe zyrtarisht informon se ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Rusisë për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili më parë kishte paralajmëruar se do ta vizitonte Beogradin gjatë ditës së sotme.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka refuzuar kërkesën e Ambasadës ruse për lejen që të shfrytëzohet hapësira ajrore për fluturim deri në Beograd, për shkak që Qeveria tashmë ka sjellë vendim për mbylljen e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut për transportuesit ajror të Federatës Ruse”, thonë nga MPJ.

Ndryshe, mediat serbe gjatë ditës së sotme njoftuan se vizita e Lavrovit në Beograd është anuluar pikërisht pas bllokadës së hapësirës ajrore nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.


Shtuar 6.06.2022 12:24