Gostivari perkujton ngjarjet e pergjakshme te '97-tes (VIDEO)
Albeu.com
Pamjet e 9 korrikut të 1997, nuk janë shuar nga kujtesa e popullit të Gostivarit. Viktimat e asaj ngjarje, kujtohen sot në 13 vjetorin e saj. Ngritja e flamurit kombëtar shqiptar para komunës së Gostivarit dhe Tetovës, në atë kohë të ...... drejtuara nga Rufi Osmani dhe Alajdin Demiri, ngjalli reagimet e palës maqedonase. Përpara precipitimit të situatës, në muajin maj, gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se ngritja e flamurit kombëtar shqiptar, rrezikonte sovranitetin e Maqedonisë. Një muaj më pas kuvendi miratoi ligjin për kufizimin e përdorimit të flamujve të nacionaliteteve. Pas shkuljes së flamurit kombëtar shqiptar në orën 01:30 të natës së 9 korrikut, popullata u zgjua në protesta paqësore. Por marshimi i qytetarëve të Gostivarit u shtyp me dhunë, dhe përfundoi me tri viktima...
Sot, në 13 vjetorin e kësaj masakre, ish kryetarët e dy komunave kujtojnë viktimat. Sipas tyre, falja që kërkoi Cërvenkovski nuk e amniston atë nga dhuna e asaj dite.
“...Plagët e ’97-ës vazhdojnë të jenë të gjalla dhe të freskëta edhe sot, sepse në masë të gjithë ne nuk kemi arritur që të bëjmë një rehabilitim politik e kombëtarë të kësaj ndodhie të veçantë, ndodhi e cila më pas prodhoi edhe shumë fenomene që karakterizuan historinë më të re të shqiptarëve të Maqedonisë. Ai që ekzekutoi dhunën në ’97-ën, Branko Cërvenkovski, ndërkohë, kuptoi gabimin, kërkoi falje, mirëpo kjo është e pamjaftueshme për të kompensuar gjithë atë dëm që ishte njerëzor shpirtëror e material që iu bë shqiptarëve”, deklaroi Rufi Osmani, kryetar i komunës së Gostivarit.
“Natën kur u legalizua përdorimi i ligjit u sulmuan komunat e Gostivarit e Tetovës, me qëllim që të disiplinohen e terrorizohen shqiptarët, me qëllim që në të ardhmen të disiplinohen dhe mos të kenë kërkesa të këtilla. Unë mendoj se kjo është zanafilla e konfliktit të armatosur që më vonë në konfliktin e 2001 eskaloi në Maqedoni, dhe ky kontest ende sot e kësaj ditë është i pazgjidhur dhe me siguri, Maqedonia do jetë shtet stabil dhe demokratik atëherë kur do zgjidhet ky kontest”, theksoi Alajdin Demiri, ish-kryetar i komunës së Tetovës.
Pjesëmarrësit e kësaj ngjarje, ende ruajnë të freskëta kujtimet dhe skenarin e hidhur të rrahjeve dhe keqtrajtimeve nga forcat e sigurimit të Maqedonisë.
“Pasojat e asaj ishin shumë të rënda për arsye se intervenimi brutal policor më pas edhe procesi i montuar gjyqësor, ishin në vazhdën e dhunës institucionale ndaj shqiptarëve”, shprehet Nuri Bajrami, gazetar i demonstratave të 1997-tës.
“Përjetuam diçka që s’mund ta harrojmë asnjëherë nga më e keqja, dhe kjo do jetë përjetim i përhershëm nuk do harrohet kurrë”, tha Jusuf Iseini, pjesëmarrës i demonstratave.
Komuna e Gostivarit së shpejti do ta zyrtarizojë këtë ditë përkujtimore. Rufi Osmani e bëri premtimin përpara qytetarëve, pjesëmarrës në homazhet pranë varreve të dëshmorëve të 9 korrikut. (alsat-m)


Shikoni disa pamje amatore nga ajo ngjarje e rende:

Shtuar më 09/07/2010, ora 22:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori