Godo tregon me gisht presidentin e ardhshëm: Selami
Albeu.com
Politikani i njohur, Sabri Godo, ka hedhur publikisht dje emrin e ish-kreut të PD-së, Eduard Selami, si kandidatura më e mirë për President të Republikës, kur të bëhen zgjedhjet sipas Kushtetutës, në vitin 2007.Duke folur në një intervistë për "Shqip", Godo, deklaron se kandidatura e Selamit është e shkëlqyer dhe më e mira nga të gjitha emrat që janë përmendur...

Zoti Godo, si e konsideroni rikthimin e ish-kreut të PD-së, Eduard Selami dhe mundësinë e rikthimit të tij në politikë?

Unë e kam njohur Selamin që nga fillimi i viteve ‘90 dhe për sa kohë ishte këtu ai ishte miku im më i mirë ndërmjet politikanëve. E kuptova shumë shpejt se kisha të bëja me një djalë serioz, të mençur dhe të sinqertë. Bisedoja me të krejt haptas. E kam ndjerë mungesën e Eduardit në vite, dhe them që ai është një njeri që i duhet këtij vendi. Me sa dëgjova në masmedia, ka thënë se nuk gjen ende hapësirën e duhur për t‘u kthyer në Shqipëri. Ai punët e tij i di vetë, se është burrë me mënd, por them se këtij vendi i duhen njerëz si Eduardi. Janë shumë të paktë njerëzit si ai. Them se ai do të kthehet, unë nuk e kam takuar ende dhe ka shumë dëshirë ta takoj, por nuk dua t‘i bie në qafë, sepse me sa dëgjova ai dëshiron të qëndrojë vetëm për disa ditë. Me Eduardin jemi marrë vesh dhe nuk kemi pasur konflikte të natyrës politike. Për shembull, në vitin 1994, kur unë denoncova ashpërsisht politikën e Partisë Demokratike në Kongresin tonë, Eduardi u ndodh atje dhe reagimi i tij ishte prej një burri të pjekur, që më bëri mua të rimendohem për disa gjëra. Ai ka edhe një jetë krejt të pastër. Mbaj mend që e vizitova në apartamentin e tij me një dhomë e një kuzhinë, kishte vetëm një tavolinë dhe një karrige dhe unë i çova një televizor të vogël, që të shihte Kampionatin e Futbollit se e kishte shumë qejf sportin. Jetonte si një djalë spartan, edhe pse ishte kryetar i Partisë Demokratike dhe në ato vite kishte shumë gjëra në dorë që të përmirësonte jetën e tij, siç bënë shumë të tjerë. Por Eduardi është krejt i veçantë. Uroj që ai të kthehet prapë.

Këto ditë është folur për një mundësi që zoti Selami mund të jetë një nga kandidatët e mundshëm për President i Republikës në vitin 2007. Ju si e shikoni këtë mundësi?

Është më i shkëlqyeri. Është kandidatura më e mirë që mund të jetë. Unë nuk gjej një kandidaturë tjetër më të përshtatshme, përfshirë të gjithë njerëzit që janë përmendur. Gazeta Shqip/albeu
Shtuar më 23/11/2006, ora 16:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori