Specialist finalesh, por trajneri Allegri ka fituar 6 nga 12

Pas shumë kritikave, edhe pse me të drejtë dhe është normale që nga Juventusi të pretendohej shumë më shumë, gjithsesi ky vit tranzicioni pas rikthimit të Masimiliano Alegrit në Torino, do të mbyllet me mundësinë që “Zonja e Vjetër” të ngushëllohet me të paktën një trofe, Kupën e Italisë.

Lidhur me turneun në fjalë, torinezët janë rekordmenë absolutë, 14 të fituar në 24 finale, por më shumë sesa kjo shifër ajo që të bën të rimendosh kritikat ndaj trajnerit është fakti se në vitin e tij të gjashtë me Juventusin (5 në aventurën e parë dhe ky aktuali pas dy vitesh ndarjeje), 54-vjeçari do të luajë finalen e tij të 13-të.

Dhe mes tyre nuk është se janë vetëm finale “italiane”, por ato që spikasin janë dy të Ligës së Kampioneve, respektivisht në 2015-ën me Barcelonën dhe në 2017-ën me Realin e Madridit. Fatkeqësisht për të dhe për lojtarët e tifozët e Juves, në hapin final evropian, i ranë dy skuadrat absolutisht më të forta të momentit dhe i humbi. Gjithsesi, këtë “specialitet” të tij, “Konti Maks” në Torino e nisi me një Superkupë të Italisë të humbur pas penalltive kundër Napolit, dhe përpara sigurimit të Kupës së Italisë sivjet, humbi një tjetër Superkupë, atë kundër Interit në “San Siro”.

Por pikërisht kundër zikaltërve më 11 maj Alegri dhe Juventusi do të kenë mundësinë e revanshit, për t’u dhuruar tifozëve të paktën një trofe ngushëllues si një formë faljeje për të gjitha dhimbjet që u shkaktuan beniaminët e tyre. Pa dyshim që nga sezoni i ardhshëm Juventusi ka në plan që të rindërtojë bindshëm skuadrën, duke shtuar elementë të rëndësishëm në mesfushë, ndoshta edhe ndonjë në mbrojtje e sulm.

Fundja, në Torino një apo maksimumi dy sezone pa pasur mundësinë për të luftuar për titullin edhe të falen duke u justifikuar me faktin se pandemia shkaktoi shumë dëme, por një i tretë, aq më tepër pas 9 triumfesh radhazi në Serinë A, është e papranueshme. Dhe pse jo, shkëndijën pozitive për sezonin e ardhshëm dhe atë të rikthimit në luftë serioze për titullin do ta japë pikërisht finalja e Kupës së Italisë, kompeticion në të cilin Maks Alegri është një ekspert, duke fituar 4 nga 4 në stolin e Juventusit.

Por në të njëjtën kohë, ai duhet të triumfojë në “Olimpiko” ndaj Interit edhe për të bërë më pozitiv bilancin personal, duke qenë se nga 12 finalet në total ka fituar 6 të tilla. Pasi siç thotë vetë trajneri i Juventusit: “Në Torino normaliteti është të sjellësh trofe, por mbi të gjitha, fitoret të ndihmojnë që të vazhdosh të fitosh”. /panoramasport/

 


Shtuar 22.04.2022 22:28