GND: Integriteti territorial i Kosoves eshte i lidhur ngushte me stabilitetin rajonal
Albeu.com
“Mungesa e ligjshmërisë në veri shtetit të Kosovë i ka kushtuar humbje të mëdha, si në aspektin politik dhe atë financiar”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në Vjenë, para Grupit Drejtues Ndërkombëtar. Pas takimit të dhjetë të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën në Vjenë, ISG ka lëshuar një deklaratë, në të cilën thuhet:
1. Grupi Ndërkombëtar Drejtues (ISG) falënderon ryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për kontributin e dhënë gjatë takimit të sotëm. ISG-ja përshëndet zotimin e autoriteteve të Kosovës, i cili u përsërit edhe sot nga kryeministri Thaçi, për të bërë të gjitha përpjekjet e domosdoshme për zbatimin e plotë dhe me kohë të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGJS).

2. ISG-ja përshëndet përparimin e madh të bërë në zbatimin e PGJS-së gjatë dy viteve të fundit në detyrat jetike për ndërtimin e institucioneve dhe Kosovës shumetnike dhe demokratike. Edhe pse tashmë janë themeluar bazat solide, ka disa çështje të mbetura që duhet të trajtohen për të siguruar zbatimin e plotë dhe me kohë të PGJS-së.

3. Sfidë kyçe do të jetë avancimi i integrimit të të gjitha komuniteteve, sidomos i tërë komunitetit serb të Kosovës në shoqërinë kosovare për të siguruar të ardhme të qëndrueshme dhe për të forcuar demokracinë në Kosovë. ISG-ja mbështet plotësisht domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës duke marrë parasysh rekomandimet e ICO-së, të cilat do të zhvillohen më tutje në konsultim me palët përkatëse të interesit. ISG-ja u bënë thirrje të gjitha palëve përfshirë edhe Republikën e Serbisë, që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces jetik, për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës. Ajo e mirëpret synimin e Qeverisë së Kosovës për të ofruar financime për projektet që synojnë integrimin e qytetarëve të komunitetit serb të Kosovës si dhe përpjekjet e Bashkimit Evropian në veri të Kosovës.

4. Integriteti territorial i Kosovës është i lidhur ngushtë me stabilitetin rajonal. Bashkëpunimi i zgjeruar rajonal është në interesin më të mirë të Ballkanit Perëndimor dhe Perspektivës së tij Evropiane. Në këtë drejtim ISG-ja i bënë thirrje Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës dhe shteteve fqinje të angazhohen në dialogun pragmatik për çështjet e përbashkëta përfshirë edhe pjesëmarrjen konstruktive në forumet rajonale.

5. ISG-ja beson se Kosova duhet të bëjë përparim urgjent në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, në përmirësimin e kapacitetit administrativ dhe instalimin e Sundimit të Ligjit, përfshirë edhe në veriun e Kosovës. Përparimi i madh në çështjet e qeverisjes do të jetë jetik për të siguruar se Raporti i ardhshëm i Progresit i Komisionit Evropian do të dërgojë sinjal pozitiv për avancimet e Kosovës drejt Perspektivës së saj Evropiane, të cilën e pret populli i Kosovës. ISG-ja bënë thirrje për bashkëpunim të ngushtë të vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë dhe EULEX-it.

6. Pjesëmarrja e qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës në zgjedhjet e para komunale pas shpalljes së pavarësisë ishte vendimtare dhe inkurajuese. Udhëheqësia e freskët komunale, e vendosur në komunat e reja është avancim i rëndësishëm drejt realizimit të vizionit të PGJS-së për decentralizimin dhe krijimin e ndjenjës së pronësisë lokale në shoqërinë shumetnike. ISG-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të decentralizimit dhe për dhënien e përkrahjes politike dhe financiare për komunat e reja. ISG-ja parasheh krijimin e dy komunave të reja sapo të përfundojnë përgatitjet e nevojshme.

7. Siç kërkohet nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin, ISG-ja ka bërë shqyrtimin e plotë të kompetencave të ICR-së në bazë të shqyrtimit të progresit të bërë kundrejt PGJS-së. Ajo ka ardhur në përfundim se fokusi i ICR-së duhet të lëvizë gjithnjë e më tepër nga përkrahja e krijimit të kornizës institucionale të Kosovës drejt mbikëqyrjes së zbatimit. Kompetencat e ICR-së mbesin pjesë e rëndësishme e kësaj mbikëqyrjeje. Sa i përket çështjeve organizative, ISG-ja ka miratuar planin e ICO-së për fillimin e ribalancimit të strukturave të brendshme.

8. ISG-ja ka përsëritur përkrahjen e plotë të saj për Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO). (koha)
Shtuar më 09/02/2010, ora 05:51
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori